Lidhje

Takim i nismës së Partneritetit Lindor me BE


Në Riga të Letonisë, filloi sot takimi i nivelit të lartë të Partneritetit Lindor me Bashkimin Evropian, me pjesëmarrjen e gjashtë vende të ish-bllokut sovjetik. Takimi zhvillohet në një klimë tensioni të lartë mes Evropës dhe Rusisë mbi konfliktin në Ukrainë dhe se çfarë do të thotë kjo për rajonin.

Në pyjet e Ukrainës Perëndimore, anëtarët e rojës kombëtare po stërviten nga ushtarët e Brigadës së 173 Ajrore të Shteteve të Bashkuara. Stërvitja ka si synim zmbrapsjen e separatistëve të mbështetur nga Rusia në Ukrainën Lindore.

Konflikti në atë zonë, është sfondi për Takimin e Nivelit të Lartë të Bashkimit Evropian me Partneritetin Lindor. Udhëheqës nga Ukraina, Gjeorgjia, Bjellorusia, Moldavia, Armenia dhe Azerbaixhani do të takohen me homologët e tyre të Bashkimit Evropian në Rigë.

Para takimit, kancelarja gjermane Angela Merkel tha para Bundestagut se nisma e Partneritetit Lindor nuk ka si synim të zgjerojë Bashkimin Evropian ose t’i kthejë vendet e Evropës Lindore kundër Rusisë:

“Por duhet të përsëris se është dhe do të mbetet vendimi sovran i partnerëve tanë lindorë që të afrohen me vlerat evropiane. Dhe askush nuk ka të drejtë ta bllokojë një gjë të tillë”.

Analistja Orysia Lutsevych thotë se takimi dyditor ka si qëllim të ndërtojë marrëdhëniet me shtetet e ish-bllokut sovjetik:

“Jemi përballë një koncepti të ri për Evropën dhe fqinjët e saj. Mendoj se Bashkimi Evropian ka arritur të dalë me një qëndrim të bashkuar se vendet kanë të drejtën të vendosin për të ardhmen e tyre”.

Në takimin e fundit të Partneritetit të Lindjes në nëntor 2013, presidenti i atëhershëm i Ukrainës, Viktor Yanukovych ndryshoi qëndrim në minutën e fundit lidhur me një marrëveshje me Bashkimin Evropian, nën presionin e Rusisë.

Lëvizja e tij i dha shtysë protestave pro-Bashkimit Evropian që sollën përmbysjen e tij, pasuar nga aneksimi rus i Krimesë.

Veprimet e Moskës i kanë afruar më shumë me Brukselin, ish-shtetet sovjetike, thotë Kadri Liik, i Këshillit Evropian për Marrëdhëniet me Jashtë:

“Të gjitha vendet po përpiqen të afrohen me BE-në më shumë sesa më parë, përfshirë ato që e kishin përdorur lidhjen evropiane për të balancuar ndikimin e Rusisë. E kam fjalën veçanërisht për Azerbaixhanin dhe Bjellorusinë. Tani ato janë të frikësuar për atë që mund të bëjë Rusia”.

Ashtu si Ukraina dhe Moldavia, Gjeorgjia ka nënshkruar marrëveshje asociimi me BE-në. Presidenti Giorgi Margvelasvili thotë se Evropa nuk duhet të frikësohet nga kërkesat ruse:

“Argumenti, se hapat e Gjeorgjisë drejt një të ardhmeje evropiane është një shqetësim legjitim i Rusisë, pasi një gjë e tillë përbën kërcënim kombëtar për të, apo se evropianët duhet ta marrin një realtiet të tillë në konsideratë, është absurd. Kjo ide absurde duhet kundërshtuar me një program pozitiv evropian”.

Por megjithë një sërë takimesh të nivelit të lartë mes BE-së dhe fqinjëve të saj të lindjes, ky program mbetet i paqartë dhe anëtarësimi i plotë në BE nuk po diskutohet për momentin.

Dhe ndërsa po ruan lidhjet me ish-shtetet sovjetike, Evropa po përpiqet gjithashtu të lehtësojë tensionet me Rusinë:

“Në të njëjtën kohë, Evropës i duhet të vendosë se si t’i ndërtojë marrëdhëniet me Rusinë, qoftë përmes frenimit, konfrontimit, apo partneritetit”.

Presidenti i Ukrainës ka thënë se do që të paraqesë kërkesën për anëtarësim në BE deri në vitin 2020. Analistët thonë se Bashkimi Evropian mund të mos ketë të njëjtën ambicje.

XS
SM
MD
LG