Lidhje

Fermerët evropianë dhe rezervat ushqimore globale

  • Selah Hennessy

Kreu i Organizatës së Bujqësisë dhe Ushqimit të Kombeve të Bashkuara thotë se alarmi për çmimet botërore të ushqimeve është i panevojshëm. Këto komente të Jose Graziano da Silvas, të bëra në Stamboll, përbëjnë elementë qetësues, në një kohë kur çmimet e artikujve ushqimorë janë të paqëndrueshme dhe thatësira në shumë prej rajoneve kryesore të prodhimit të grurit në botë ka ngjallur frikë mbi sigurinë e ushqimit.

Fermerët në Britani, Rusi dhe në vende të tjera janë duke punuar për pakësimin e mangësive globale në furnizimin me drithëra.

Britania përjetoi këtë vit verën e saj me më shumë rreshje në 100 vjet dhe ky ka qenë një lajm i keq për shumë fermerë, sidomos në tokat e brendshme dhe në veri. Por në zonën lindore të Suffolk-ut, rendimentet e grurit kanë qenë të mira.

Fermeri Raven Robert tashmë e ka korrur grurin e tij dhe thotë se cilësia duket të jetë e lartë. Ai thotë se edhe pse bujqësia këtu vuan disa goditje, në përgjithësi fermerët në Evropën Perëndimore nuk kanë shumë probleme.

"Evropa është një nga vendet me të korrat më pak të ndryshueshme ndër vite, thjesht sepse moti ynë është më i parashikueshëm. Pra, edhe pse ne përballemi me paqëndrueshmëri, ajo nuk përmban ekstreme që gjenden në vende të tjera. Kur ne themi se patëm një vit të keq, është diçka që nuk mund të krahasohet me zona të tjera të botës ku ka dështime të plota të të korrave për shkak të motit."

Bashkimi Evropian është një nga prodhuesit më të mëdhenj të grurit në botë dhe furnizues kryesor i rajoneve fqinje të Lindjes së Mesme dhe Afrikës së Veriut. Pra, është lajm i mirë që, edhe pse të korrat e këtij viti pritet të jenë pak më të ulëta se zakonisht, kjo rënie do të jetë relativisht e vogël.

Në vende të tjera situata ka qenë mjaft më keq.Në Shtetet e Bashkuara, prodhuesi kryesor i misrit në botë, thatësira më e rëndë në më shumë se një gjysmë shekulli ka shkaktuar dëme të mëdha dhe prodhimi i këtij viti pritet të jetë më e ulëti në gjashtë vitet e fundit.

Në Rusi - një tjetër furnizues kryesor drithërash - një valë temperaturash të larta dëmtoi tërësisht rreth një të katërtën e të korrave të grurit, duke rritur çmimet dhe duke ngjallur shqetësime rreth një krize ushqimore globale.

Peter Hazell është ekspert i problemeve botërore të ushqimit, i Imperial College, në Londër. Ai thotë se rendimentet relativisht të mira të të korrave evropiane të këtij viti janë një lajm i mirë, por ato nuk do të zgjidhin shqetësimet mbi pasigurisë ushqimore.

"Evropa prodhon rreth 300 milionë tonë drithëra çdo vit. SHBA-ja prodhon rreth 400 milionë tonë. Për ta kuptuar më mirë, duhet thënë se bota prodhon 2,4 miliardë tonë në vit. Pra, Evropa është një prodhues i rëndësishëm, por gjithashtu ajo ka një popullsi të madhe dhe eksporton një sasi mjaft të vogël, prandaj nuk ka rol vendimtar në tregun global."

Zoti Hazell thotë se të korrat e varfra të këtij viti ka të ngjarë të kenë ndikimin më të madh tek njerëzit e varfër në botë. Dhe kjo nuk do të ishte hera e parë.
Katër vjet më parë, çmimet u rritën në mënyrë dramatike, duke i bërë prodhimet themelore të papërballueshme për shumë njerëz.
Zoti Hazell thotë se gjatë viteve të fundit ekuilibri i raportit kërkesë-ofertë është bërë shumë i brishtë.

"Tani, i gjithë ushqimi që ne prodhojmë përdoret. Ndërsa në të kaluarën kemi pasur gjithmonë rezerva. Nuk kemi më rezerva të tilla, prandaj kur goditemi nga thatësira krijohen tronditje në sistem, në një kohë, pra, kur mungojnë rezervat për t’i zbutur këto goditje."

Analisti Hazell thotë se në kuadrin afatgjatë, rezervat ushqimore nuk do të vijnë nga vende që tashmë janë prodhuesit kryesorë në botë, por nga vendet ku toka ende nuk shfrytëzohet plotësisht.

Por për momentin, fermerët në Evropë dhe në mbarë botën janë duke punuar për të marrë rendimentin më të madh të mundshëm nga tokat e tyre.

Raven Robert shiti një pjesë të madhe të të korrave të këtij viti muaj më parë. Por me çmimet e larta në treg, ai pret fitime të larta prej grurit që ende disponon.

Edhe në vende të tjera, fermerët po shpresojnë për mot të mirë dhe rendimente të larta për të shtuar rezervat ushqimore globale.
XS
SM
MD
LG