Lidhje

Rikthimi i udhëheqjes franko-gjermane


Kancelarja gjermane Angela Merkel dhe Presidenti francez François Hollande mbajtën sot fjalime historike në Parlamentin Evropian, 25 vjet pasi paraardhësit e tyre, Helmut Kohl dhe François Mitterand, iu drejtuan parlamentit pas rënies së Murit të Berlinit. Dy udhëheqësit ritheksojnë unitetin franko-gjerman si forcë udhëheqëse në përballjen me krizat e shumta që po përjeton Bashkimi Evropian.

Në vitin 1989, kur Kancelari Kohl dhe Presidenti Mitterand folën në Strasbourg dhe Evropa përballej me pasigurinë e shëmbjes së fuqisë sovjetike në lindje, Bashkimi Evropian kishte vetëm 12 vende anëtare. Tashmë BE-ja përbëhet nga 28 vende. Në atë kohë Franca dhe Gjermania Perëndimore ishin dy fuqitë udhëheqëse, ndërsa tani Gjermania e bashkuar është fuqia dominuese.

Nën shembullin e unitetit francezo-gjerman pas rënies së Murit të Berlinit, zonja Merkel dhe zoti Hollande shpresojnë që këtë radhë të forcojnë kohezionin në BE për t’u përballur me krizat e shumta.

Çështja e emigrimit të refugjatëve nga lufta civile siriane do të jetë pikë kryesore në axhendë, ndërkohë që po rivendosen kontrolle kufitare, heqja e të cilave që nga mbarimi i Luftës së Ftohtë ishte konsideruar si një arritje e madhe.

Një tjetër çështje e rëndësishme është përballja me Rusinë, e cila ka aneksuar territorin ukrainas dhe tashmë është përfshirë ushtarakisht në Siri.

Franca dhe Gjermania, dy vendet themeluese të BE-së, po përpiqen të shpëtojnë monedhën e përbashkët Euro pas muajsh krize ekonomike në Greqi.

Fjalimet mendohet se do të parashtrojnë iniciativa politikash të rëndësishme, ndërkohë që pritet të sfidohen nga grupe ligjvënësish, si p.sh. Fronti Kombëtar francez anti-emigracion, i drejtuar prej Marine Le Pen, e cila është edhe sfidantja kryesore e zotit Hollande për zgjedhjet e vitit 2017. Një tjetër grupim sfidues do të jetë ai i udhëhequr nga Partia për Pavarësinë e Mbretërisë së Bashkuar, e cila po kërkon që Britania, ekonomia e dytë më e madhe e Bashkimit Evropian, të largohet nëpërmjet një referendumi.

XS
SM
MD
LG