Lidhje

Hahn: Nuk mund t'i bëhet trysni BE-së me deklarata nxitëse


Komisionari për fqinjësi dhe negocim të zgjerimit të Bashkimit Evropian, Johannes Hahn, i cilësoi "të papranueshme", deklaratat e udhëheqësve politikë në rajonin e Ballkanit Perëndimor që përfshijnë idetë për ndryshimet e kufijve.

Ai i bëri këto deklarata pas një takimi me shefin e diplomacisë serbe, Ivica Daçiç në Bruksel, duke komentuar një intervistë të kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, për portalin Politico, në të cilën ai citohej të ketë thënë se rruga e hapur drejt integrimeve evropiane dhe perspektiva e qartë janë mënyra e vetme që Ballkani të jetë i qetë “por nëse kjo shpresë, perspektivë, mungon, atëherë bashkimet e vogla mund të ndodhin”.

Pas kësaj Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, i kishte deklaruar Radios Evropa e Lirë se nëse Bashkimi Evropian e mbyll derën për Kosovën, “atëherë të gjithë shqiptarët në rajon do të jetojnë në një hapësirë të vetme”.

Deklaratat kishin nxitur reagime në Beograd, ku përfaqësuesit serb thanë se kjo "shpërfaqë synimet për krjimin e Shqipërisë së Madhe, por edhe të diplomatëve amerikanë në Prishtinë dhe në Beograd të cilët i cilësuan deklaratat "të pakujdesshme".

Komisionari Hahn tha sot se është i zhgënjyer me deklaratat nxitëse të udhëheqësve në rajon. "Deklaratat e tilla, që mund të cilësohen edhe si përzierje në shtetet e tjera dhe përfshijnë ndryshime të kufijve, janë të papranueshme dhe për më shumë janë të panevojshme dhe kundër produktive”, tha ai, duke nënvizuar se Evropa synon paqe e qëndrueshmëri në rajon.

"Nëse dikush mendon se deklaratat e tilla mund të ushtrojnë trysni mbi Bashkimin Evropian, do të ishte gabim i madh, sepse kjo lehtësisht mund t'u përplaset dërguesve të mesazheve të tilla. Duhet të jemi të vetëdijshëm se evropianët kanë një interes të fuqishëm për paqe, përparim dhe qëndrueshmëri në rajon. Kjo mund të arrihet vetëm përmes marrëdhënieve të mira fqinjësore, nëse të gjithë punojnë bashkë dhe ndihmojnë në zhvillimin e mëtejmë të rajonit”, tha komisionari Hahn, duke bërë thirrje për përmbajtje nga një retorikë e tillë.

Ai tha se rajoni i Ballkanit perëndimore ka ardhmëri evropiane, ndërsa nënvizoi se përparimi i Serbisë drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian varet edhe nga bisedimet për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën.

Serbia vazhdon të kundërshtojë pavarësinë e Kosovës, por është përfshirë në një proces bisedimesh për normalizimin e marrëdhënieve në shkëmbim të afrimit me strukturat evropiane. Ajo hapi negociatat për anëtarësim në Bashkimin Evropian, ndërsa Kosova nënshkroi marrëveshjen e stabilizim asocimit, por vazhdon të jetë e fundit në rajon në proceset integruese.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG