Lidhje

Migruesve u lejohet hyrja në stacionin e trenave në Budapest


Autoritetet hungareze hapën stacionin kryesor të trenave në Budapest, por thanë se nuk do të ketë udhëtime drejt perëndimit.

Migruesit që shpresojnë të udhëtojnë drejt perëndimit vërshuan në stacionin kryesor të trenave në Budapest, por zyrtarët thanë se nuk do të ketë trena që udhëtojnë drejt Evropës perëndimore.

Policia u largua nga stacioni Keleti të enjten pas dy ditë bllokimi të migruesve që shpresojnë të hipin në trenat për në Gjermani, ku planifikojnë të kërkojnë strehim.

Por, ndërsa migruesit u lejuan të hyjnë në stacion, nuk është e qartë se ku do të shkojnë në pamundësi për të udhëtuar drejt perëndimit.

Autoritetet hungareze lejuan të hënën udhëtimet pa viza nga stacioni Keleti, pas pasi që Gjermania tha se do të pranojë kërkesat për strehim. Por, të martën, zyrtarët hungarez papritmas filluan të ndalojnë kalimin e njerëzve pa viza.

Autoritetet thanë se po përpiqeshin të vepronin në pajtim me rregullat e Bashkimit Evropian, por ndryshimi i qasjes të martën la mijëra njerëz të bllokuar në stacion duke brohoritur për trajtim më të mirë.

Policia shtyu migruesit jashtë stacionit në Keleti, të cilët brohoritën në gjuhën arabe dhe atë angleze, por protesta nuk u përshkua nga dhuna.

Kryeministri hungarez Viktor Orban, po takohet të enjten me udhëheqësit e BE-së në Bruksel për të diskutuar problemin e migruesve, që është vetëm një segment i çështjes së migrimit që po ndikon në pjesën më të madhe të Evropës.

Evropa po përballet me një rrjedhë të pashembullt të qindra mijëra refugjatëve që po ikin nga konfliktet dhe varfëria në Lindje të Mesme, Azi e Afrikë, në kërkim të një jete me të mirë në vendet e BE-së.

Blloku 28 vendesh, me muaj të tërë po përpiqet të përballet me trajtimin e më shume se 332 mijë migruesve që kanë arritur gjatë këtij viti. Kjo është rrjedha më e madhe e migruesve që nga Lufta e Dytë Botërore. Vendet anëtare të BE-së planifikojnë një takim emergjent për këtë çështje më 14 shtator.

Vendet më të goditura, Greqia, Italia dhe Hungaria, kanë kërkuar ndihmë. Gjermania, e cila pret të pranojë mbi 800 mijë strehim kërkues, u ka bërë thirrje partnerëve evropian që të marrin një pjesë të barrës duke pranuar një numër më të madh të migruesve.

Ministrat e jashtëm të Italisë, Francës e Gjermanisë, nënshkruan të mërkurën një dokument të përbashkët duke bërë thirrje për një :përgjigje më të fortë ndaj krizës” dhe për një shqyrtim të rregullave aktuale të strehimit në BE si dhe një shpërndarje të “drejtë” të migruesve brenda Bashkimit Evropian.

Në dokument thuhet se kriza e migruesve ”qartazi ka nxjerrë në shesh kufizimet dhe defektet” e rregullave të strehimit të cilat duhet të rishqyrtohen.

Zëdhënësi i Agjencisë së Kombeve të Bashkuara për refugjatët, Babar Baloch, i tha Zërit të Amerikës se “të gjitha vendet kanë përgjegjësi që të përballen me krizën”.

Ndërkohë, fotografitë e trupit të një fëmije sirian në bregdetin turk, u publikuan në gazetat gjithandej Evropës, duke u shndërruar në shenjë të krizës së refugjatëve në kontinent.

Një ushtar turk, mban në krah trupin e një fëmije sirian
Një ushtar turk, mban në krah trupin e një fëmije sirian

Një fotografi tregon trupin e pajetë të foshnjës së shtrirë në valë. Një tjetër tregon ushtarin turk duke e larguar prej andej.

Autoritetet turke besojnë se ai ishte një nga 13 migruesit sirianë që u mbytën të mërkurën kur dy barka që po udhëtonin nga Turqia për në ishullin grek Kos, u përmbytën.

Drejtori i emergjencave në organizatën për të drejtat e njeriut më seli në New York, Human Rights Watch, Peter Bouckaert, dënoi atë që ai e quajti “indiferencë” e udhëheqësve evropian për migruesit që po përpiqen të ikin nga lufta dhe varfëria.

XS
SM
MD
LG