Lidhje

BE dhe imigracioni i paligjshëm


Italia ka propozuar të vihen në shënjestër kontrabandistët e qënieve njerëzore në Libi për të frenuar fluksin e emigrantëve në brigjet e saj jugore. Ekipet e shpëtimit janë ende në kërkim të personave të mbijetuar dhe të mbyturve pas përmbysjes të dielën të një anijeje me deri në 900 emigrantë në bord. Incidenti, ndër më të rëndët të regjistruar ndonjëherë, ka bërë që Bashkimi Evropian të thërrasë një takim urgjent të nivelit të lartë këtë javë.

Varkat e shpëtimit mbërritën dje në Maltë me trupat e njerëzve pa jetë. Në port, prisnin radhët e makinave për të marrë 24 trupa njerëzish, vetëm një pjesë e vogël e 750 njerëzve që u mbytën të dielën përballë brigjeve të Libisë. Një grup të mbijetuarish shikonin se si shkarkoheshin trupat.

Në Romë, Kryeministri italian, Matteo Renzi në prani të homologut të tij maltez, e krahasoi kontrabandimin e emigrantëve me tregtinë e dikurshme të skllevërve të Afrikës dhe propozoi masa për të vënë në shënjestër trafikantët në Libi.

"Tani për tani, në Libi nuk janë kushtet për të arritur paqen me një ndërhyrje ushtarake. Ne biseduam për ndërhyrjet që do të vinin në shënjestër grupet kriminale që janë jashtë çdo kontrolli."

Dyqind kilometra në jug të ishullit italian të Lampeduzës, kërkimi vazhdon. Por shpresat për të gjetur njerëz të gjallë janë pakësuar. Të mbijetuarit thonë se në kuvertën e poshtme të anijes ishin mbyllur qindra njerëz.

Ministrat e Bashkimit Evropian propozuan dje në Luksemburg një plan prej dhjetë pikash për t'u përballur me krizën - duke përfshirë dyfishimin e fondeve për "Operacionin Triton" të patrullimeve.

Presidenti i Bashkimit Evropian, Donald Tusk, thotë se plani do të diskutohet të enjten në një takim urgjent të udhëheqësve të BE-së.

"Disa nga temat që do të duhet të trajtojmë me urgjencë, janë: si të ndalim trafikantët e qënieve njerëzore që në mënyrë cinike nxjerrin para duke vënë jetën e emigrantëve në rrezik; si të rrisim përpjekjet tona për shpëtimin e njerëzve në nevojë, si të ndihmojmë më mirë vendet anëtare të BE-së që janë më të prekura; dhe si të rritim bashkëpunimin me vendet e origjinës dhe tranzitit."

Por ekzistojnë mospërputhje mendimesh. Në tetor, Britania u shpreh për pakësimin e operacioneve të kërkim-shpëtimit. Sekretarja e Brendshme britanike, Theresa May theksoi nevojën për të frenuar trafikantët.

"Është e natyrshme që ne të gjithë të jemi thellësisht të shqetësuar për humbjet e tmerrshme të jetës. Por fokusi ynë duhet të jetë tek masat kundër kriminelëve të pashpirt që qëndrojnë prapa kësaj tregtie të ndyrë të qënieve njerëzore."

BE-ja i dha fund operacioneve të kërkim-shpëtimit Mare Nostrum, me shqetësimin se këto operacione po inkurajonin më shumë imigrantë të paligjshëm.

Por gjatë këtij viti në brigjet evropiane kanë mbërritur më shumë se 21.000 emigrantë. Shifrat tregojnë se njerëzit rrezikojnë jetën pa marrë parasysh se çfarë i pret, thotë Andrej Mahecic i Komisionit të Lartë të OKB-së për Refugjatët.

"Për ne, përparësi kyçe në këtë fazë është që të ketë një operacion i cili të zëvendësojë mjaftueshëm Mare nostrum, i cili shpëtoi mijëra jetë. "

Tragjeditë nuk kufizohen në Itali. Në Greqi, të paktën tre persona humbën jetën, përfshirë edhe një fëmijë, kur një varkë me imigrantë u përplas me shkëmbinjtë në brigjet e ishullit Rodos.

Ekspertët thonë se qetësimi i detit në muajt e verës do të bëjë që anije të tjera me imigrantë të përpiqen të udhëtojnë drejt brigjeve evropiane.

XS
SM
MD
LG