Lidhje

Mbi 1 milionë emigrantë në Evropë në vitin 2015


Organizata Ndërkombëtare e Migrimit thotë se numri i emigrantëve dhe refugjatëve që kanë hyrë në Evropë në vitin 2015 e ka kaluar numrin një milionë, prurja më e madhe e këtij lloji që nga fundi i Luftës së Dytë Botërore.

Shifrat e publikuara sot nga organizata me qendër në Gjenevë, tregojnë se 1 milionë e pesë mijë e 504 emigrantë nga Afrika dhe Lindja e Mesme kanë hyrë në kontinent nga toka dhe deti, katër herë më shumë sesa në vitin 2014.

Refugjatët nga Siria, që është rrënuar nga një luftë civile pesë vjeçare që ka shkaktuar vdekjen e 200 mijë vetëve dhe shpërnguljen e miliona të tjerëve, përbëjnë gjysmën e tyre, pasuar nga refugjatët nga dy vende të tjera të rrënuara nga lufta, Afganistani dhe Iraku.

Refugjatët kanë vërshuar në Greqi, Bullgari, Itali, Spanjë, Maltë dhe Qipro gjatë vitit 2015 dhe shumica e tyre, mbi 800 mijë, kanë mbërritur nga deti në Greqi. Rreth 3 mijë e 600 kanë vdekur ose janë zhdukur, në përpjekje për të përshkuar rrugën e vështirë në Detin e Mesdheut nga Afrika e Veriut në Itali.

Organizata e Migrimit thotë se më pak se 35 mijë emigrantë ose rreth tre për qind kanë shkuar nga toka në Greqi dhe Bullgari nga Turqia.

XS
SM
MD
LG