Lidhje

BE-ja diskuton me palët çështjen e murit në veriun e Mitrovicës


Muri i ngritur në veri të urës në Mitrovicë
Muri i ngritur në veri të urës në Mitrovicë

Bashkimi Evropian bërë thirrje të enjten mbrëma për respektimin e marrëveshjes për hapjen e urës kryesore mbi lumin Ibër në Mitrovicë, që është arritur në kuadër të bisedimeve për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Këto thirrje pasuan një takim të zyrtarëve të Bashkimit Evropian me përfaqësuesit e qeverisë së Kosovës dhe të komunave në Mitrovicë për të diskutuar situatën e krijuar pas ngritjes së një muri një muri në pjesën veriore në afërsi të urës kryesore mbi lumin Ibër. Autoritetet lokale serbe në veriun e Mitrovicës thanë se muri është pjesë e një projekti për ndërtimin e një shëtitoreje.

Por, nga shqiptarët ai shihet si një pengesë e re që bie ndesh me marrëveshjen për liri të lëvizjes në qytetin e ndarë në dy pjesë, në veriun me shumicë shqiptare dhe jugun me shumicë serbe.

Në një njoftim të Bashkimit Evropian thuhet se "të dyja palët janë pajtuar për të harmonizuar projektin për rivitalizimin e urës së Mitrovicës dhe për projektin e këmbësorëve në rrugën ‘Mbreti Petër’. Ato janë pajtuar që rrethrrotullimi në Mitrovicën e veriut të lidhet me rrugën e këmbësorëve ‘Mbreti Petër’ duke u lënë të gjithëve hapësirën e lirë për lëvizje, derisa ka adresuar shqetësimet mbi sigurinë në rrugë”, thuhet në komunikatë.

Bashkimi Evropian thekson se sipas marrëveshjes së arritur në Bruksel në muajin gusht të vitit 2015, rruga “Mbreti Petër” do të jetë e hapur vetëm për këmbësorë.

Bashkimi Evropian do të mbesë në kontakt me të dyja palët për të siguruar zbatimin e marrëveshjes "dhe ka mirëkuptim nga të dyja palët që më 20 janar, të përmbushet afati i fundit, për rihapje të urës dhe të projektit për shndërrimin e rrugës “Mbretit Petër’ në rrugë të këmbësorëve", thuhet në komunikatë.

Më herët gjatë të enjtes kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa tha se çështja e murit po trajtohet nga inspektorati i ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor dhe se sipas tij nuk do të ndërmerren hapa të ngutshëm për këtë çështje.

“Ne nuk do ta vendosim gjoksin dhe as nuk do t’i tregojmë muskujt sepse gjoksin dhe muskujt i vendos ligji dhe ne do të vijmë në situatë që të respektojmë ligjin dhe ata duhet ta respektojnë në këtë aspekt. Ministria e Mjedisit është duke vepruar me inspektoratin e vet atje që të konstatoj gjendjen. Ministrja për Dialog gjithashtu ka kontakte me Bashkimin Evropian në mënyrë që të vërtetohet se a është në harmoni me projektin që Bashkimi Evropian e realizon atje sepse është projekt i tyre prandaj në këtë rast gjithçka do të shkoj sipas ligjit”,tha kryeministri Mustafa.

Marrëveshja për lëvizje të lirë që është arritur ndërmjet Kosovës dhe Serbisë me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian bëri të mundur që në gusht të këtij viti të fillojnë punimet për zhbllokimin e urës. Bashkimi Evropian ka investuar 1.2 milion euro për revitalizimin e urës që duhet të përfundoj në muajin e ardhshëm.

Ura qendrore mbi lumen Ibër ishte mbajtur mbyllur nga serbët lokal që nga muaji korrik i vitit 2011 në shenjë kundërshtimi ndaj ndërhyrjes së forcave të posaçme të policisë së Kosovës për të vënë nën kontroll vendkalimet kufitare ndërmjet Kosovës e Serbisë në veri.

Rihapja e urës dhe rindërtimi i saj ndodh në një periudhë të shtimit të trysnisë ndaj Beogradit për të zbatuar në terren marrëveshjet e arritura në bisedimet për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës e Serbisë me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian.

XS
SM
MD
LG