Lidhje

Bisedimet Kosovë – Serbi, pa marrëveshje


Përfunduan pa marrëveshje bisedimet e sotme për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë

Bisedimet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në Bruksel, përfunduan pa asnjë marrëveshje për temat kryesore që ishin shtruar në tryezë.

Në një deklaratë të shefes së politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Federica Mogheirni e cila ndërmjetëson bisedimet, thuhet se në takim “është shënuar përparim i mirë në të gjitha çështjet. Ekipet tona do të vazhdojnë të punojnë gjatë orëve në vazhdim dhe ne do të caktojmë gjatë ditëve të ardhshme një takim për përmbylljen e marrëveshjeve”.

Në raundin e sotëm janë trajtuar çështje që kanë të bëjnë me energjinë, telekomunikimet, lëvizjen e lirë në veriun e Kosovës dhe krijimin e asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Në aspektin teknik, palët kanë nënshkruar një marrëveshje mirëkuptimi për njohjen e ndërsjellë të policave të sigurimit të detyrueshëm për automjetet.

Gjatë ditës pritej të diskutohej edhe shkalla e zbatimit të marrëveshjeve të arritura deri tash. Nga ky zbatim varet edhe ritmi i hapjes së kapitujve të negociatave për anëtarësim të Serbisë në Bashkimin Evropian. Në fillim të korrikut ne Beograd pritet të qëndrojë edhe kancelarja gjermane Angela Merkel, e cila ngulë këmbë në qëndrimin se hapja e kapitujve të negociatave për anëtarësim duhet të pasojë një marrëveshje gjithëpërfshirëse dhe detyruese për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Serbia përfitoi hapjen e negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian pas marrëveshjeve për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën me gjithë kundërshtimin e saj ndaj pavarësisë së Kosovës të shpallur në shkurt të vitit 2008.

XS
SM
MD
LG