Lidhje

Asgjë e re në bisedimet Kosovë – Serbi


Në Bruksel të mërkurën përfundoi raundi i ri i bisedimeve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet tyre.

Shefja e politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Federica Mogherini, tha se ato u zhvilluan në një atmosferë të mirë dhe janë diskutuar çështjet që kanë të bëjnë me zbatimin e marrëveshjeve të arritura deri tash.

"U konfirmua se njohja e ndërsjellë e diplomave dhe certifikatave shkollore po bëhet realitet. Mbi këtë bazë studentët do të jenë në gjendje të vazhdojnë studimet e tyre ndërsa ata me diploma profesionale do të jenë në gjendje të përmirësojnë aftësitë e tyre të punës edhe në Serbi edhe në Kosovë. Ne kemi përparur ndjeshëm edhe në zbatimin e marrëveshjes për lirinë e lëvizjes, posaçërisht në fushën e përdorimit të targave të regjistrimit", thuhet në një komunikatë të zyrës së zonjës Mogherini.

Diskutimet, thuhet më tej, u përqëndruan edhe në përkushtimin e të dyja palëve për të punuar në zbatimin e marrëveshjes për asociacionin e komunave me shumicë serbe.

Të dyja palët janë pajtuar që të fillojnë diskutimet për lidhjet ajrore dhe hekurudhore ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, thuhet në njoftim.

Zonja Mogherini vlerëson përkushtimin e të dy kryeministrave për normalizimin e marrëdhënieve, ndërsa thekson se takimi i sotëm dëshmon vullnetin e tyre për të ecur përpara me një qasje konstruktive.

Palët kanë qëndrime krejt të ndryshme rreth marrëveshjes për asociacionin e komunave me shumicë serbe.

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa tha se asociacioni mund të zbatohet “vetëm në suaza të vendimit të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës të marrëveshjes së parë dhe të ligjit të ratifikimit të marrëveshjes së parë. Asgjë nuk do të funksionojë në Kosovë nëse nuk është në suaza të Kushtetutës së Republikës së Kosovës. Kjo është e qartë edhe për palën serbe”, tha ai duke nënviizuar se palët nuk janë pajtuar për asnjë afat kohor për formimin e Asoaciacionit.

Gjykata Kushtetuese e Kosovës, vlerësoi në dhjetor të vitit të kaluar se marrëveshja për asociacionin e arritur me 25 gusht të vitit 2015, nuk është në përputhje me Kushtetutën e Kosovës.

Kryeministri serb Aleksandër Vuçiç, tha gjatë mbrëmjes së të mërkurës se nuk pranon asnjë vendim të, siç ka thënë ai, të ashtuquajturës Gjykatë Kushtetuese të Kosovës.

Marrëveshja për krijimin e asociacionit të komunave me shumicë serbe, çoi në një krizë të rëndë politike në Kosovë.

Opozita bllokoi punën e parlamentit dhe u hodh në protesta edhe në rrugë për të kundërshtuar mërrveshjen që u jep më shumë autonomi serbëve në veriun e Kosovës.

Ajo i kërkon qeverisë dorëheqjen në dritën e vendimit të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës.

Qeveria i ka bërë thirrje opozitës për dialog politik ndërsa është zotuar se do të zbatojë në tërësi vendimin e Gjykatës Kushtetuese në procesin e mëtejmë të hartimit të dokumenteve mbi asociacionin.

Opozita ngulë këmbë për zgjedhje të parakohshme.

Bisedimet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë mund të ndëpriten më pas për shkak të zgjedhjeve të paralajmëruara të parakohshme parlamentare në Serbi, që pritet të mbahen në muajin prill.

Ato zgjedhje dhe situata aktuale në Kosovë, mund të zgjasin periudhën e "heshtjes" se bisedimeve.

Të ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian, bisedimet ndërmjet të dyja palëve për normalizimin e marrëdhënieve ndërmejt tyre, i siguruan Kosovës, Marrëveshjen e Stabilizim Asocimit, që u nënshkrua në tetor të vitit të kaluar ndërsa javën që lamë pas u miratua nga Parlamenti Evropian.

Ato i siguruan Serbisë hapjen e negociatave për anëtarësim në BE, kapitujt e parë të të cilave u hapën me 14 tetor.

Synimi për integrime evropiane, bëri që Serbia të ulet në tryezën e bisedimeve ndonëse vazhdon të kundërshtojë pavarësinë e Kosovës e cila më 17 shkurt shënon përvjetorin e tetë të saj.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG