Lidhje

BE kërkon nga Kosova dhe Serbia të shmangin retorikën nxitëse


Bashkimi Evropian shprehu të enjten keqardhjen për siç u tha "vazhdimin e deklaratave nxitëse" dhe u bëri thirrje Kosovës dhe Serbisë që të heqin dorë nga retorika dhe të punojnë për uljen e tensioneve.

Këto komente të bëra nga zyra e shefes së politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Federica Mogherini, u bënë pak kohë pasi që kryeministri i Serbisë Aleksandër Vuçiç akuzoi udhëheqësit e institucioneve të Kosovës për siç tha shkelje të marrëveshjes së arritur gjatë bisedimeve në Bruksel për tu përmbajtur nga deklaratat, ndërsa udhëheqësit e Kosovës akuzuan Beogradin për "fushatë propagandistike".

Kryeministri serb takoi të enjten përfaqësuesit e serbëve të Kosovës në Rashkë, një qytet në jugperëndim të Serbisë, për t'i njohur ata me siç u tha, bisedimet Kosovë - Serbi që u mbajtën të mërkurën në Bruksel. Takimi që nuk ishte komentuar nga asnjëra palë të mërkurën, u cilësua si shumë i vështirë.

Kryeministri serb tha se vendi i tij është i interesuar që të ruhet paqja dhe siguria në Kosovë ndërsa u bëri thirrje udhëheqësve në Prishtinë që të mos ndërmarrin aksione të njëanshme.

“Ne mbrëmë kemi marrë garanci për një gjë, kemi marr garanci se nuk do të flasin budallallëqe Hashim Thaçi dhe Isa Mustafa ashtu siç po flasin, kemi marr garanci që do të heshtin, por kanë vazhduar prapë të flasin dhe kemi marr garanci që do të ruhet paqja dhe nuk do të ketë aksione të njëanshme. Serbia asnjë aksion të njëanshëm nuk e ka ndërmarrë në territorin e Kosovës”, tha kryeministri serb.

Ai tha se Prishtina ka kërkuar rrënimin e një muri në veriun e Mitrovicës e veriut, pavarësisht që siç tha rregullimi komunal është përgjegjësi e komunës edhe sipas ligjeve të Kosovës.

"Goran Rakiç (kryetari i komunës së Mitrovicës së veriut" pranon që të shembet, jo pse mendon keq për popullin e tij ose pse është frikacak, por sepse dëshiron ta ruaj paqen”, tha kryeministri Vuçiç duke u bërë thirrje serbëve të Kosovës që të ruajnë qetësinë me çdo çmim.

Më herët gjatë ditës së enjte zyrtarë serbë thanë se druajnë që Prishtina po planifikon një ndërhyrje me forcë në veriun e Kosovës të banuar me shumicë serbe. Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, shprehu shqetësimin me atë që ai e cilësoi "fushatë propagandistike në stilin e vjetër të Serbisë që vazhdon të ndjell frikë dhe urrejtje ndëretnike tek komuniteti serb që jeton në pjesën veriore të Kosovës.

Në komunikatë thuhet se “kjo propagandë e orkestruar nga Serbia synon frikësimin e qytetarëve të Kosovës që jetojnë në veri të vendit dhe pengimin e procesit të integrimit të plotë të tyre në institucionet e Republikës së Kosovës. Prandaj, përsëri e ftoj Serbinë që të heq dorë nga praktikat e tilla të cilat nuk i shërbejnë në asnjë formë procesit të pajtimit dhe normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”.

Presidenti Thaçi ka siguruar komunitetin serb që jeton në Kosovë që institucionet e vendit do të vazhdojnë të mbrojnë jetën e të gjithë qytetarëve kudo që janë, pavarësisht përkatësisë së tyre etnike. “Bashkimi Evropian dhe NATO-ja duhet t’ia tërheqin vërejtjen Serbisë që të përmbahet nga skenari për të nxitur një konflikt të ri në Kosovë dhe rajon”, thuhet në komunikatën e presidentit Thaçi.

Ndërtimi i një muri në veriun e Mitrovicës, ndalimi i ish kryeministrit të Kosovës Ramush Haradinaj në bazë të një urdhër arresti serb dhe 14 janari kur Kosova ndaloi hyrjen e një treni të nisur nga Beogradi drejt Mitrovicës, me mbishkrimin "Kosova është Serbi", ngritën tensionet dhe nxitën luftë fjalësh të ashpra ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, por edhe shqetësimet e diplomatëve për rritjen e tensioneve ndërmjet të dyja vendeve.

Në dy takime me radhë që u mbajtën në nivelin më të lartë në Bruksel, palët ishin zotuar të përmbahen nga deklarimet nxitëse dhe të punojnë për uljen e tensioneve. Bashkimi Evropian në dy raste u rikujtoi atyre zotimin, duke u kërkuar që të punojnë në kuadër të bisedimeve për normalizimin e marrëdhënieve.

Beogradi i cili vazhdon të kundërshtojë pavarësinë e Kosovës që është shpallur nëntë vjet më parë me mbështetjen e Shteteve të Bashkuara dhe vendeve kryesore të Bashkimit Evropian, është përfshirë në bisedime në shkëmbim të afrimit me Bashkimin Evropian. Kosova ka nënshkruar marrëveshjen për stabilizim asociim me Bashkimin Evropian në këmbim të angazhimit në bisedime, por vazhdon të ketë e fundit në rajon në proceset integruese.

XS
SM
MD
LG