Lidhje

BE kritikohet për krizën e emigrantëve


Shefi i Komisionit Evropian, Jean-Claude Juncker, kritikoi ashpër vendet anëtare të BE-së për mosmbajtjen e premtimeve për përballimin e krizës së refugjatëve. Vendet anëtare po përmbushin me shumë ngadalësi zotimet për rivendosjen e 120 mijë refugjatëve, si dhe për dhënien e 2.3 miliardë Euro fonde për përballimin e krizës.

Gjatë një takimi të sotshëm të Parlamentit Evropian, Presidenti i Komisionit Evropian Jean-Claude Juncker u bëri thirrje vendeve anëtare të mbajnë premtimet për krizën e emigrantëve.

BE-ja miratoi një plan në shtator për shpërndarjen e 120 mijë refugjatëve në 28 vendet anëtare, krahas 40 mijë të tjerëve të planifikuar më parë.

Sipas zotit Juncker, rivendosja nuk po kryhet me ritmin e duhur.

“Nëntë vende anëtare na kanë njoftuar se do të marrin së shpejti të paktën 700 persona. Por, të mos harrojmë se kemi vendosur për mbrojtje ndërkombëtare për 160 mijë refugjatë. Duhet mbushur boshllëku ndërmjet premtimeve dhe asaj çfarë realizohet, pasi ndryshe do humbasim besueshmërinë.”

Zoti Juncker i kritikoi vendet anëtare edhe për mosplotësimin e 2.3 miliardë Eurove të premtuara si fonde për krizën.

“Vendet anëtare vazhdojnë të më thonë se do të mbajnë premtimin për fondet, por janë duke lëvizur shumë ngadalë, ndërkohë që duhet të ishin duke vrapuar.”

28 vendet anëtare të BE-së janë të dyzuara ndërmjet solidaritetit për emigrantët dhe ruajtjes së sigurisë. Në Bruksel janë shtuar zëra frike për të ardhmen e BE-së, ndërkohë që në vende të ndryshme kanë filluar edhe kundër-reagime politike.

“Nuk kam asnjë dyshim se kjo sfidë ka potencial të ndryshojë Bashkimin Evropian që kemi ndërtuar. Ka potencial të prishë arritje si udhëtimi i lirë ndërmjet vendeve të Shengenit. Ç’është më e rrezikshme, ka edhe potencialin për të shkaktuar lëvizje tektonike në skenën politike evropiane. Nuk janë ndryshime për mirë. Këto janë vërtet kohëra të jashtëzakonshme që kërkojnë masa të jashtëzakonshme, sakrifica dhe solidaritet”, u shpreh Presidenti i Këshillit Evropian, Donald Tusk.

Pavarësisht thirrjeve të Kancelares gjermane Angle Merkel për mbajtjen hapur të dyerve të Evropës, udhëheqës të tjerë evropianë konsiderojnë si prioritet mbajtjen nën kontroll të kufijve, deportimin e personave që nuk fitojnë azil, dhe pagesat ndaj vendeve të treta për të mbajtur refugjatët në territorin e tyre.

XS
SM
MD
LG