Lidhje

BE-ja dhe politikat e saj të emigracionit


Komisioni Evropian ka zbuluar detajet e asaj që analistët thonë se është një plan i dëshpëruar për t'u marrë me krizën më të rëndë të emigrantëve në Evropë prej dekadash.

Plani përfshin një mekanizëm drejtësie që u kërkon vendeve të pranojnë një numër të caktuar refugjatësh ose të paguajnë një gjobë. Plani ka tërhequr kritika të menjëhershme nga vendet e Evropës Qendrore dhe Lindore që kanë kundërshtuar thirrjet e mëparshme nga Bashkimi Evropian që të gjithë vendet anëtare të pranojë një pjesë të refugjatëve.

Zyrtarët e KE-së thanë se plani për të riparuar sistemin e azilit në BE kërkon që çdo shtet anëtar të trajtojë një pjesë proporcionale të rrjedhës së emigrantëve, e cila vitin e kaluar arriti një milion.

Propozimet, duke përfshirë edhe një rekomandim për të hequr kufizimet për udhëtimet pa viza për shtetasit turq, do të hidhen në votë në Parlamentin Europian në qershor.

Vendet si Polonia dhe Hungaria kanë refuzuar të pranojnë një numër të madh të emigrantëve muslimanë, pasi kjo do të destabilizonte shoqëritë e tyre kryesisht të krishtera.

Duke njoftuar hollësitë e planit, Nënpresidenti i Komisionit Evropian Frans Timmermans tha se vendet nuk duhet të lejohen të zgjedhin se si mund të reagojnë ndaj një krize që ndikon të gjithë Bashkimin Evropian.

Shumica e migrantëve synojnë të arrijnë në Gjermani dhe Suedi, por janë vendet si Greqia dhe Italia të cilat mbajnë barrën më të rëndë të migrantëve dhe burimet e tyre janë shterur.

Propozimet e KE-së kërkojnë për të shpërndarë përgjegjësinë duke krijuar kuota. Nëse një vend merr më shumë se 50 për qind të numrit të caktuar të azilkërkuesve, vendi do të kete mundësi për t’i dërguar migrantët në vende të tjera.

Vendet që nuk zgjedhin të marrin emigrantë do t’u kërkohet të paguajnë për të ndihmuar vendet që i pranojnë. "Të gjitha shtetet anëtare do të duhet të kontribuojnë dhe për të treguar solidaritet, ato kjo mund të marë formën e solidaritetit financiar, tha zoti Timmermans.

Shumat janë vlerësuar në afërsisht 300.000 dollarë per migrant.

Ministrat e Grupit të Vishegradit ku bëjnë pjesë vende të Evropës qendrore që përfshijnë Republikën Çeke, Hungarinë, Poloninë dhe Sllovakinë, në takimin në Pragë të mërkurën, kundërshtuan ashpër këto propozime.

"Është shantazh", tha ministri i Jashtëm i Hungarisë, Peter Szijjarto. Ai e quajti planin për të imponuar kuota "një rrugë pa krye."

"Unë pyes nëse ky është një propozim serioz, sepse tingëllon si ide e shpallur më 1 prill, ditën e gënjeshtrave, tha ministri i Jashtëm i Polonisë, Witold Waszczykowski.

Rregullimi i çështjes së azilit dhe vendimi për të rekomanduar heqjen e kërkesave të vizave për shtetasit turq janë pjesë e një përpjekje urgjente për t'u marrë me krizën dhe për të shpëtuar nga dështimi një marrëveshje midis BE dhe Turqisë në muajin mars.

Në këtë marrëveshje, BE-ja angazhohet për t’i paguar miliarda dollarë Ankarasë dhe kjo të marë përsëri emigrantët që deportohen nga Greqia. BE-ja gjithashtu u jep qasje pa viza në vendet anëtare shtetasve turq.

Udhëheqësit turq kishin kërcënuar se do ta braktisnin marrëveshjen nëse BE-ja nuk i përmbushte angazhimet e saj.

Zyrtarët e BE-së e quajnë marrëveshjen një sukses, duke thënë se numri i migrantëve që kalojnë rrezikshëm në Detin Egje ka rënë dukshëm në një mesatare prej 63 migrantë në ditë, nga mijëra vetëm disa muaj më parë.

Një numër i madh migrantësh janë sirianët, dhe analistët thonë se zgjidhja afatgjatë e krizës varet se sa shpejt do të përfundojë lufta në Siri dhe nga vendosja e një sistemi demokratik në vend.

Derisa kjo të ndodhë, analistët thonë se refugjatët do të vazhdojnë të vijnë në Evropë.

XS
SM
MD
LG