Lidhje

Ministrat e Financave të BE-së diskutojnë situatën në Greqi

  • Zëri Amerikës
  • Uashington

Ministrat e Financave të BE-së diskutojnë situatën në Greqi

Ministrat e Financave të BE-së diskutojnë situatën në Greqi

Përpjekjet e qeverisë greke për të përballuar krizën e borxheve kanë marrë votën e mirëbesimit nga një agjenci e rëndësishme.

Standard & Poor ka bërë rishqyrtimin e financave të vendit për ta zbritur atë nga renditja e tanishme, por tha se ky veprim nuk është i nevojshëm për momentin.

Greqia po përpiqet të përballojë deficitin buxhetor që është shumë më i lartë se kufiri i lejuar për vendet që përdorin euron.

Shefat evropianë të financave nuk arritën të japin një plan të detajuar të ndihmës për Greqinë megjithëse hartuan etapat për një zgjidhje të mundshme në se situata financiare në vendin e tronditur ekonomikisht të Mesdheut përkeqësohet edhe më tej. Analistët kishin shpresuar se takimi në Bruksel sot i ministrave të financave nga 16 vendet që përdorin euron do të parashtronte një plan të shumëpritur për të ndihmuar Greqinë e cila po përpiqet të qetësojë investitorët dhe të jetë në gjendje të marrë hua me interesa më të ulta.

Ministrat evropianë të financave u mblodhën përsëri sot në Bruksel, një ditë pasi vendet e Eurozonës thanë se janë gati të japin ndihma për Greqinë në formë huash.

Forma ekzakte e ndihmës ende nuk është vendosur.

“Ata nuk kanë kërkuar ndonjë ndihmë financiare kështu që dje ne vetëm diskutuam çështje teknike për të patur disa instrumenta gati në se është e nevojshme”, tha ministrja spanjolle e financave Elena Salgado.

Greqia ka nevojë të marrë 74 miliardë dollarë hua këtë vit- 27 miliardë në prill dhe maj – por është e detyruar të paguaj interesa më të larta sesa vendet e tjera evropiane, me situatë më të qëndrueshme fiskale.
Greqia ka paralajmëruar se problemet e saj të buxhetit do të përkeqësohen në se normat e interesit nuk ulen dhe premtimi i eurozonës për ndihmë është një mënyrë për të bindur tregjet se duhet të vendosin norma më të ulta për borxhin grek.

Mospagimi i Greqisë do të ishte katastrofë për euron. Ekonomistët dhe tregjet financiare presupozojnë se BE-ja do të gjejë mënyra për ta ndaluar një skenar të tillë.

Në përpjekje për të zbutur investitorët Greqia ka njoftuar disa masa të rrepta për ta zvogëluar buxhetin përfshi shkurtimin e pagave të sektorit publik që zemëroi sindikalistët dhe çoi në dy greva mbarëkombëtare javën e kaluar.

Në një deklaratë dje, vendet e Eurozonës thanë se ndihma financiare nuk do të jetë e lirë.

“Objektivi nuk është financimi me normat e interesit të zonës së euros por për të ruajtur stabilitetin financiar në këtë zonë në tërësi”.

Jashtë takimit, demonstruesit kishin vendosur një balonë në formë qeni për të theksuar sipas tyre politikat tregëtare evropiane që po mjerojnë vendet e varfëra. (ze)

XS
SM
MD
LG