Lidhje

Ministrat e BE-së diskutojnë krizën e migrimeve


Ministrat diskutojnë planin për shpërndarjen e detyrueshme të 160 mijë strehim kërkuesve në të 28 vendet anëtare të BE-së

Ministrat e Brendshëm të Bashkimit Evropian, po takohen të hënën për të diskutuar rrugët e përballjes me atë që duket një valë e pafund e refugjatëve në Evropë. Takimi në Bruksel ndodhë një ditë pasi që Hungaria u zotua se do të ndjekë ata që përpiqen të shmangin policinë kufitare.

Disa pjesë të Evropës, posaçërisht vendet e Evropës Lindore, fajësojnë Gjermaninë për valën e migrimeve në kontinent. Gjermania ndërkaq është e frustruar me hezitimin e disa vendeve të BE-së për të ndarë barrën e të ardhurve.

Shume nga migruesit nuk duan të vendosen kudo. Disa thjeshtë kalojnë nëpër disa vende për të arritur në Gjermani. Ministri i Brendshëm gjerman Thomas de Maiziere, tha se njerëzit që kërkojnë mbrojtje nuk mund të zgjedhin vendin e pranimit.

Në Hungari, autoritetet po punojnë ndërkohë që të zgjerojnë dhe forcojnë murin kufitar me Serbinë me tela gjemborë. Zyrtarët hungarez thanë se do të ndjekin çdo migrues që përpiqet të shmangë policinë kufitare.

Gjermania pezulloi përkohësisht pjesëmarrjen në sistemin e lëvizjes pa viza në Bashkimin Evropian dhe vendosi kontrollet kufitare duke thënë se ishte e detyruar ta bëjë këtë për të kufizuar valën e refugjatëve nga vendet e dërmuara nga luftërat kryesisht nga Siria dhe Iraku.

Vendimi i shpall të dielën nga ministri gjerman, Thomas de Maiziere. Gjermania ndaloi për 12 orë trenat që e lidhin me fqinjin e saj Austrinë, rruga kryesore nëpërmjet së cilës 450 mijë refugjatë kanë arritur në Gjermani gjatë këtij viti.

Analistët thonë se ndalimi i trenave mund të nxisë skena dëshpërimi në kufirin Austri – Gjermani, derisa dhjetëra mijëra refugjatë po provojnë të hyjnë në Gjermani me të gjitha mjetet e mundshme.

“Gjermania po vendosë përkohësisht kontrollin kufitar. Përqendrimi do të jetë fillimisht në kufirin me Austrinë”, tha të dielën de Maiziere.

“Synimi i këtyre masave është kufizimi i valës aktuale të hyrjeve në Gjermani dhe kthimi i procedurave normale për njerëzit që hyjnë në vend”.

Pezullimi i pjesëmarrjes së Gjermanisë në regjimin e lëvizjes pa viza pasoi paralajmërimet e shteteve federale gjermane se janë duke luftuar për t’u përballur me valën e refugjatëve dhe kundërshtimeve ndaj vendimit të kancelares gjermanë Angela Merkel, për të mirëpritur qindra mijëra refugjatë.

Unioni Kristian – Social, partia si motër bavareze e Unionit Kristian-Demokrat të zonjës Merkel në koalicionin qeveritar, shtoi kritikat ndaj vendimit të udhëheqëses gjermane për të zbutur rregullat për strehim kërkuesit siriane që duan të vendosen në Gjermani. Në një rast të rrallë të kritikave ndaj qeverisë, udhëheqësit e CSU-së thanë se zonja Merkel po bënë një “gabim të pashembullt historik”.

Horst Seehofer, udhëheqës i CSU-së, i tha revistës Spiegel se “ky ishte një gabim që do të na ndjekë për një kohë të gjatë. Nuk shoh mundësi që tapa të rikthehet në shishe”, tha ai.

Prefekti i Munihut, Dieter Reiter, tha se mundësitë e qytetit për të pritur refugjatët, janë shterur.

Vendimi i Gjermanisë për të pezulluar regjimin e udhëtimit pa viza, pritet të nervozojë vendet tjera anëtare të BE-së, posaçërisht Francën dhe Belgjikën, të cilat janë kërcënuar disa herë se do të bëjnë një gjë të tillë në përgjigje të vendimit të Italisë për t’u dhënë pasaporta humanitare refugjatëve dhe migruesve ekonomik.

Veprimi i Italisë ishte përgjigje ndaj refuzimit të vendeve tjera anëtare të BE-së për të ndihmuar ndarjen e barrës së refugjatëve – një kërkesë që tash po bëhet nga Gjermania.

Eurokratët druajnë se kriza e migrimeve që po godet BE-në, do të kërcënojë të ardhmen e zonës së lëvizjes pa pasaporta.

Muajin e kaluar, pas një sulmi te shmangur në trenin që po udhëtonte nga Amsterdami për në Paris, kryeministri belg, Charles Michel, bëri thirrje për rishikimin e rregullave të Schengen-it dhe për vendosjen e kontrollit të identitetit dhe bagazheve të udhëtarëve. Mbrojtësit e sistemit, kryesisht ata që duan integrim më të madh të BE-së, druajnë se çdo hap prapa në lëvizjen pa pasaporta, do të dëmtojë gjithë projektin e mbështetur prej tyre.

Revista pro evropiane, The Economist, tërhoqi vërejtjen muajin e kaluar se “Schengeni është ndër manifestimet më të dukshme të unitetit evropian, dëmtimi i tij do të dërgonte një mesazh të fortë”.

Policia gjermane filloi patrullimet në vendkalimet kufitare me Austrinë të dielën pasdite, ndërsa zyrtarët thanë se kontrollet mund të vendosen edhe në kufijtë me Poloninë dhe Republikën Çeke. Republika Çeke tha se do të shtojë kontrollet ne kufirin me Austrinë.

Pezullimi i përkohshëm i Schengen-it nga ana e Gjermanisë, mund të shërbejë si sfond i atij që analistët e quajnë, takim grindavec i ministrave të brendshëm të BE-së, në të cilin zyrtarët gjerman dhe francez do të mbështesin planin për ndarjen e barrës së refugjatëve të shpallur javën e kaluar nga kryetari i Komisionit Evropian, Jean-Claude Juncker.

Sipas atij plani, do të ketë një shpërndarje të detyruar të 160 mijë strehim kërkuesve në të 28 vendet anëtare të BE-së, varësisht nga madhësia dhe mirëqenia e secilit veç e veç.

Disa nga vendet e Evropës si Hungaria, Polonia e Republikë Çeke e kritikuan planin, duke nënvizuar se nuk do të pajtohen me të.

Kryeministri hungarez Viktor Orbán, i tha të dielën gazetës gjermane Bild se “këta migrues nuk po vijnë nga zonat e luftës, por nga kampet në vendet fqinje të Sirisë. Pra, këta njerëz nuk po ikin nga rreziqet dhe nuk duhet të kenë frikë për jetët e tyre”.

XS
SM
MD
LG