Lidhje

Takimi i radhës Kosovë - Serbi më 1 shkurt


Shefja e politikës së Jashtme të Bashkimit Evropian, Federica Mogherini, ka ftuar kryeministrin e Kosovës, Isa Mustafa dhe atë të Serbisë, Aleksandër Vuçiç, për një takim të ri në Bruksel në kuadër të bisedimeve për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet të dy vendeve.

Takimi i radhës që do të mbahet të mërkurën më 1 shkurt, do të jetë "vazhdimi i atij të mbajtur më 24 janar ku të dyja palët u pajtuan që të lënë tensionet prapa dhe të përqendrohen në punën në kuadër të bisedimeve", thuhet në një njoftim të zyrës së zonjës Mogherini.

“Përfaqësuesja e Lartë pret me padurim vazhdimin e diskutimeve, për çështje me rëndësi dhe diskutimet për zbatimin e marrëveshjeve të arritura më herët si dhe që ta çojnë përpara dialogun", thuhet në njoftim.

Më 24 janar në takim ishin edhe presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi dhe ai i Serbisë, Tomislav Nikoliç. Takimi ishte një përpjekje e Bashkimit Evropian për të ulur tensionet ndërmjet të dyja vendeve.

Më 14 janar Kosova ndaloi hyrjen në territorin e saj të një treni të nisur nga Beogradi drejt Mitrovicës, me mbishkrimin "Kosova është Serbi" dhe me ikonografi kishtare mesjetare.

Zhvillimet rreth trenit nxitën luftë fjalësh të ashpra ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, por edhe shqetësimet e diplomatëve për rritjen e tensioneve ndërmjet të dyja vendeve. Treni ishte kundërshtuar nga Kosova e cila atë e cilësoi si një provokim të sovranitetit të saj, ndërsa Beogradi akuzoi Kosovën për dërgimin e njësive të posaçme të policisë në veriun e banuar me shumicë serbe dhe siç u tha nxitjen e konfliktit.

Treni pasoi tensionet edhe ashtu të larta, pas ndalimit në Francë të ish kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj, në bazë të një urdhër arresti të lëshuar nga autoritetet serbe.

Të dyja palët e cilësuan takimin e 24 janarit shumë të vështirë, ndërsa janë pajtuar për vazhdimin e një serie takimesh në nivelin e lartë politik.

Të shtunën, presidenti i Kosovës Hashim Thaçi tha se ka biseduar në telefon me kryeministrin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç për vazhdimin e procesit të normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet të dyja palëve.

Në një postim në rrjetet sociale ai tha se “u pajtuam që të punojmë bashkërisht që nëpërmjet dialogut t’i zgjidhim të gjitha çështjet me interes reciprok e që ndërlidhen me procesin e normalizimit të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë”.

Në prill të vitit 2013 Kosova dhe Serbia arritën e marrëveshjen e parë për normalizimin e marrëdhënieve që përfshinte një gamë çështjesh, pas të cilave bisedimet kryesisht u zhvilluan për rrugët e zbatimit të saj.

Serbia vazhdon të kundërshtojë pavarësinë e Kosovës të shpallur nëntë vjet më parë, por është përfshirë në një proces bisedimesh në shkëmbim të afrimit me strukturat e Bashkimit Evropian. Ajo hapu negociatat për anëtarësim pas marrëveshjeve me Kosovën e cila nënshkroi ndërkaq marrëveshjen e Stabilizim Asocimit me Bashkimin Evropian.

XS
SM
MD
LG