Lidhje

BE-ja kërkon që vendet e Ballkanit të punojnë bashkë drejt integrimeve


Shefja e politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Federica Mogherini, u ka bërë thirrje gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor që të tejkalojnë dallimet dhe të punojnë së bashku drejt anëtarësimit në BE.

Ajo i mblodhi të mërkurën në mbrëmje në Bruksel kryeministrat e gjashtë vendeve të Ballkanit perëndimor, Shqipërisë, Kosovës, Bosnjës e Hercegovinës, Maqedonisë, Malit të Zi dhe Serbisë për të diskutuar situatën në rajon. Pasi takoi secilin prej tyre veç e veç, ajo organizoi edhe një darkë të përbashkët joformale.

Në një njoftim pas takimeve thuhet se "të gjithë të pranishmit konfirmuan përkushtimin e tyre për të punuar në procesin e integrimeve evropiane. Ata ritheksuan vendosmërinë e tyre dhe interesin e fortë për forcimin e bashkëpunimit dhe arritjen e rezultateve të prekshme për jetën e qytetarëve të rajonit. Ata theksuan angazhimin e tyre për marrëdhënie të mira fqinjësore dhe thellimin e mirëkuptimit rajonal, nëpërmjet respektit dhe bashkëpunimit reciprok", thuhet në një njoftim të zyrës së zonjës Mogherini.

Ajo i ka trimëruar të gjashtë kryeministrat "që të përshpejtojnë punën e domosdoshme për të përmbushur pritjet e qytetarëve të tyre dhe për të ecur përpara në ardhmërinë evropiane".

Në takimin e së mërkurës që kishte për qëllim edhe përgatitjen e takimit të vendeve të Ballkanit Perëndimore dhe BE-së që do të zhvillohet në Trieste të Italisë në fillim të muajt korrik, u diskutua edhe për vizitën që zonja Mogherini, kishte zhvilluar në muajin mars në gjashtë vende të Ballkanit perëndimorë në përpjekje për t'i siguruar ato se Bashkimi Evropian mbetet i hapur për zgjerim, me gjithë krizën në të cilën ndodhet ai.

Ajo i kishte cilësuar tensionet ne rajonin e Ballkanit perëndimorë si "skajshmërisht të rrezikshme" gjë që sipas saj shton nevojën që Bashkimi Evropian të veprojë me përkushtim për të siguruar ardhmëri evropiane për rajonin.

Zonja Mogherini ka shprehur besimin se fuqia e BE-së në rajon është e lidhur me besueshmërinë e integrimeve evropiane.

Fillimi i vitit 2017 alarmoi Bashkimin Evropian për shkak të tensioneve të larta në Ballkan dhe shqetësimeve se Rusia po luan një rol destabilizues në rajonin që ende po provon të ripërtërihet nga luftërat e përgjakshme të viteve të 90-ta.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG