Lidhje

BE, masa për vendet që nuk sistemojnë refugjatët


Bashkimi Evropian paralajmëroi se mund të fillojë të marrë masa kundër vendeve anëtare nëse vazhdojnë të refuzojnë pjesëmarrjen në planin e organizatës për sistemimin e refugjatëve. Vetëm dy vende: Finlanda dhe Malta, i kanë respektuar detyrimet sipas programit, ndërsa dhjetra mijëra refugjatë vazhdojnë të jenë bllokuar në vendet e jugut të Evropës.

Bashkimi Evropian miratoi në vitin 2015 një plan për t’i shpërndarë në të gjitha vendet anëtare refugjatët e bllokuar në Itali dhe Greqi. Por shifrat tregojnë se vendet anëtare kanë pranuar vetëm 8 për qind nga 160 mijë refugjatët që kishin premtuar t’i sistemonin.

Brukseli ka paralajmëruar se nuk do të pranojë më justifikime.

“Bashkimi Evropian mbështetet në dy parime: solidaritet dhe përgjegjësi. Këto fjalë nuk janë vetëm vlera morale, ato janë parime ligjore, të detyrueshme, të mishëruara në traktate”, thotë Dimitris Avramopoulos, Komisioner i BE-së për Migrimin.

Hungaria është mes vendeve që kanë refuzuar të pranojnë refugjatë të zhvendosur.

Ky vend ka filluar ta përforcojë gardhin në kufi me Serbinë, si pjesë e masave kundër imigracionit. Organizatat e të drejtave të njeriut e akuzojnë Hungarinë se ka penalizuar refugjatë legjitimë dhe ka keqtrajtuar imigrantët, akuzë që qeveria hungareze e mohon.

Bashkimi Eropian mund ta çojë Hungarinë në Gjykatën Evropiane të Drejtësisë që ajo të përmbushë detyrimet. Por Brukseli ka edhe alternativa të tjera, thotë studiuesi Camino Mortera-Martinez.

“Prandaj në vend që ta çosh në gjykatë një vend që nuk zbaton ligjin e BE-së, mund të përdoren disa instrumente të tjerë për t’i bërë të plotësojnë detyrimet. Për shembull, duke u shkurtuar një pjesë të buxhetit”, thotë Camino Mortera Martinez i Qendrës për Reformë Evropiane.

Por lëvizje të tilla mund të japin efektin e kundërt, në një kohë kur kundërshimi populist ndaj Bashkimit Evropian është i lartë.

“Mendoj se pasoja e detyrimit të vendeve për të pranuar refugjatë, është rritja e qartë e ndjenjave kundër Bashkimit Evropian”, thotë Zoti Martinez.

E përballur me një dilemë të tillë, Evropa po bën përpjekje të dëshpëruara për të ndalur rrjedhën e imigrantëve. Gjermania është një nga shtetet evropiane që po përshpejton deportimin e atyre të cilëve u është mohuar azili. Analistët thonë se kancelarja Angela Merkel po mban një qëndrim më të ashpër para zgjedhjeve të parashikuara për në shtator.

“Sepse imigracioni, është problemi më i madh që kemi tani në Evropë, edhe më i madh se Euroja, një pengesë për integrimin e mëtejshëm dhe një rrezik për situatën e brendshme të sigurisë në Evropë”, thotë Werner Patzelt i Universitetit të Dresdenit.

Bashkimi Evropian vlerëson se numri i migrantëve që presin në Libi është mes 700 mijë dhe 1 milionëve. Me një det më të qetë, ditët e fundit, pati një rritje të ndjeshme të personave që përpiqeshin të kalonin Mesdheun. Para një jave, roja bregdetare italiane shpëtoi rreth 1 mijë vetë.

XS
SM
MD
LG