Lidhje

Merkel, Hollande bisedojnë në prag të takimit për sigurinë


Kancelarja e Gjermanisë dhe presidenti i Francës thanë se përparësitë e tyre të përbashkëta për takimin e nivelit të lartë të BE-së që mbahet nesër në Sllovaki përfshijnë garantimin e sigurisë së Evropës dhe luftën kundër terrorizmit.

Kancelarja Angela Merkel dhe Presidenti François Hollande u takuan në Paris për të bashkërenduar strategjinë një ditë para samitit të 27 udhëheqësve të BE-së në Bratislavë. Britania, e cila ka votuar për t’u larguar nga blloku, nuk u ftua në mbledhje.

Zoti Hollande tha se të dy udhëheqësit do të propozojnë krijimin e një selie të përhershme ushtarake të BE-së që mund të dislokojë me shpejtësi trupa evropiane, një ide që ishte kundërshtuar nga Britania prej një kohe të gjatë.

Ai bëri thirrje për “aftësi të reja mbrojtëse dhe forca që mund të dërgohen jashtë Evropës”.

Hollande dhe Merkel e vunë theksin në nevojën për të mbrojtur kufijtë e jashtëm dhe për të zgjidhur sfidën e migrimit.

Përparësi të tjera të përbashkëta përfshijnë luftën kundër papunësisë mes të rinjve dhe nxitjen e rritjes ekonomike përmes investimeve në teknologjinë dixhitale dhe energjinë e gjelbër.

XS
SM
MD
LG