Lidhje

BE do të hapë negociatat për anëtarësim me Serbinë më 14 dhjetor


Bashkimi Evropian paralajmëroi se këtë muaj do të hapë kapitujt e parë të negociatave me Serbinë për anëtarësimin e saj në këtë bllok.

“Pres që më 14 dhjetor të hapen kapitujt për negociata më të detajuara”, tha të enjten ne Beograd shefja e politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Federica Mogherini.

Negociatat pritet të hapen me kapitujt 32 dhe 35 që kanë të bëjnë me kontrollet financiare dhe me Kosovën.

“Do të vijmë në Bruksel me pritje të mëdha dhe besim të fortë se Serbia i përket Evropës”, tha kryeministri serb, Aleksandër Vuçiç, pas takimit me zonjën Mogherini, i cili u zhvillua në kuadër të takimit të këshillit ministror të Organizatës për Siguri e Bashkëpunim në Evropë.

Kryeministri serb, i cili hapi takimin, shprehu siç tha “brengosjen dhe frikën e sinqertë për mundësinë e destabilizimit të Ballkanit. Serbia është vend i fuqishëm dhe i qëndrueshëm, por mjaftojnë disa situata krizash në rajon, në Maqedoni, Mal të Zi dhe në Prishtinë, që gjithë rajoni të ndizet sërish”, tha ai.

Kryeministri serb tha se jo stabiliteti në Kosovë, po rrezikon bisedimet e Brukselit, të cilat tha ai, Serbia do t’i vazhdojë, sepse “kjo është mënyra e vetme për të vendosur sigurinë tonë dhe të shqiptarëve në Kosovë”.

"Serbia zgjedh jetën e përparimin dhe jo konfliktet”, tha ai duke nënvizuar se Serbia dhe rajoni janë pjesë të Evropës dhe ajo do të vazhdojë rrugën evropiane “për çka u është falënderuese edhe kolegëve amerikanë dhe në të njëjtën kohë do të vazhdojë të ruajë miqësinë tradicionale me Rusinë”.

Ish ministër në kohën kur Serbia drejtohej nga Sllobodan Millosheviç, i cili vdiq në gjykatën e Hagës në vitin 2006 derisa po gjykohej për krime lufte dhe gjenocid në hapësirat e ish Jugosllavisë, Aleksandër Vuçiç është shfaqur si reformator properëndimorë, por duke ruajtur lidhjet me Rusinë, posaçërisht për shkak të qëndrimit të saj në mbështetje të refuzimit të Serbisë për të njohur pavarësinë e Kosovës.

Megjithatë, ajo është përfshirë në një proces bisedimesh për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën dhe hapja negociatave për anëtarësim është shpërblim i Bashkimit Evropian për këtë çështje si dhe përpjekje për t’iu kundërvënë asaj që diplomatët e cilësojnë si shtim të angazhimit të Rusisë në Ballkan.

Kosova përfitoi Marrëveshjen e Stabilizim Asocimit me Bashkimin Evropian për shkak të marrëveshjeve me Serbinë. Por marrëveshja e fundit e nënshkruar më 25 gusht për themelimin e asociacionit të komunave me shumicë serbe, çoi në një krizë politike në Kosovë për shkak të reagimit të partive opozitare që e shohin atë si të dëmshme për sovranitetin e Kosovës.

Për më shumë se dy muaj ato bllokuan seancat e parlamentit në shenjë kundërshtimi ndaj kësaj marrëveshjeje sikurse edhe asaj për shënimin e kufirit me Malin e Zi. Gazi lotsjellës dhe skenat e dhunës përshkuan seancat e parlamentit, ndërsa përplasje të dhunshme pati edhe në protestat në rrugë. Ato akuzuan qeverinë për vendosje të shtetit policor për shkak të masave që janë ndërmarrë ndaj deputetëve opozitar. Pesë prej tyre janë në paraburgim ose nën masën e arrestit shtëpiak.

Qeveria ndërkaq edhe sot përsëriti gatishmërinë për të biseduar rreth shqetësimeve të subjekteve opozitare. Ajo tha se është duke pritur interpretimin e Gjykatës Kushtetuese për Marrëveshjen për krijimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe në Kosovë, si dhe ka iniciuar ekspertizë ndërkombëtare për procesin e përkufizimit të vijës kufitare ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi.

Kriza politike bëri që edhe sekretari amerikan i shtetit John Kerry të bëjë thirrje kundër dhunës në parlament. Gjatë vizitës së të mërkurës në Prishtinë ai tha se Shtetet e Bashkuara nuk do të mbështesnin asnjë marrëveshje “që do të kërcënonte sovranitetin, sigurinë apo pavarësinë e Kosovës. Kemi investuar shumë së bashku që të lejojmë që e ardhmja e Kosovës të vihet në rrezik”, tha zoti Kerry.

Partitë opozitare thanë se do të vazhdojnë manifestimet e tyre kundër marrëveshjeve duke paralajmëruar për të shtunën një të tillë në Gjakovë.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG