Lidhje

BE, takim i nivelit të lartë


Spanja, Italia dhe Franca i kërkojnë Gjermanisë të bëjë më shumë për të zbutur vështirësitë

Udhëheqësit e Spanjës, Italisë dhe Francës mblidhen sonte në Bruksel për takimin dyditësh të nivelit të lartë. Ata po i kërkojnë Gjermanisë të bëjë më shumë për të zbutur vështirësitë financiare me të cilat përballen qeveritë më të dobëta të eurozonës.

Përpara takimit të nivelit të lartë, udhëheqësit evropianë të qeverive të qendrës së djathtë dhe anëtarë të Partisë Popullore Evropiane u takuan në Bruksel në përpjekje për të dalë me një qëndrim të përbashkët mbi krizën financiare.

Eurobonot, Greqia, Qiproja, bankat spanjolle dhe rrugët për të krijuar rritje në Bashkimin Evropian janë mes temave të ditës.

Kancelarja gjermane Angela Merkel tha se ka besim se në takimin e nivelit të lartë mund të arrihen kompromise si në të mirë të Gjermanisë ashtu edhe të pjesës tjetër të Evropës.

"Unë mendoj se sot në qendër të debatit është një paketë për zhvillimin dhe vendet e punës,” tha kancelarja gjermane Angela Merkel.

Megjithatë, pritshmëritë për të arritur rezultat në çështjen shpërthyese të eurobonove – pra të borxhit të përbashkët - duket se nuk do të realizohen.
Kancelarja Merkel, e ka kundërshtuar vendosmërisht lëshimin e eurobonove dhe komentet e saj gjatë takimit dyditësh do të ndiqen me vëmendje.

Shumë prej udhëheqësve evropianë e kanë mbështetur idenë e eurobonove si një rrugë kyçe për zgjidhjen e problemeve të eurozonës duke shpërndarë rrezikun e borxhit dhe uljen e interesit të huamarrjes.

Por zonja Merkel ngurron ta ekspozojë vendin e saj ndaj kostove të reja, dhe shqetësohet se eurobonot mund ta minimizojnë trysninë mbi vendet si Greqia dhe Spanja për të reformuar ekonomitë e tyre.

Kancelarja Merkel i tha parlamentit të saj se ajo që mund të bëjë Gjermania ka një kufi dhe se masat e ashpra të shpenzimeve mbeten kyçi për të përmirësuar financat.


Ndërkohë, Kryeministri spanjoll Mariano Rajoy ka paralajmëruar se qeveria e tij nuk do të jetë në gjendje të përballojë edhe për shumë kohë kostot e larta të huamarrjes.
XS
SM
MD
LG