Lidhje

BE bën thirrje për zgjedhje të reja në Ukrainë


Bashkimi Evropian ka bërë thirrje për formimin e një qeverie të re në Ukrainë, që duhet të pasohet nga organizimi i zgjedhjeve presidenciale të lira dhe të drejta. Por BE nuk bëri thirrje për vendosjen e sanksioneve ndaj Ukrainës. Protestat anti-qeveritare shpërthyen në nëntor pasi Presidenti Viktor Janukoviç hoqi dorë nga nënshkrimi i një marrëveshjeje tregtare me Bashkimin Evropian në favor të lidhjeve më të ngushta me Rusinë.

Barrikadat vazhdojnë të bllokojnë qendrën e Kievit ndërkohë që mosmarrëveshjet mes protestuesve dhe qeverisë hyn në javën e tyre të tretë.
Kërkesa e opozitës për dorëheqjen e presidentit Viktor Janukoviç mori mbështetje nga Bashkimi Evropian.

Në takimin e djeshëm në Bruksel, ministrat e jashtëm të BE-së lëshuan një deklaratë të përbashkët në të cilën kërkohet formimin e një qeverie të re dhe miratimin e reformës kushtetuese që duhet t’i hapin rrugën organizimit të zgjedhjeve të lira dhe të drejta presidenciale. Catherine Ashton është shefe e Politikës së Jashtme të BE-së.

"Ne jemi duke punuar ngushtë me udhëheqësit e shoqërisë civile me të cilat unë kam zhvilluar takime mbi çështjet dhe shqetësimet e tyre. Është e rëndësishme që të ndalohet çdo formë e dhunës, të sillen para drejtësisë ata që kanë kryer veprime të dhunshme, të përfundohet puna e parlamentit mbi reformën kushtetuese e cila është një pjesë e rëndësishme në përpjekjet për të zgjidhur këtë krizë, dhe pastaj të zhvillohen zgjedhje të lira dhe të drejta".

Ndërkohë që BE-ja i ka ofruar lidhje më të ngushta tregtare, ajo nuk mori vendim për vendosjen e sanksioneve ndaj Ukrainës.
Por Orysia Lutsevych e Institutit të Politikave Chatham House me qendër në Londër thotë se BE duhet t’i vendos në shënjestër mbështetësit e pasur të udhëheqjes së Ukrainës.

"Oligarkët, njerëzit e biznesit. Nuk kemi nevojë vetëm për vendosjen e sanksioneve. Por duke shfrytëzuar bazën ekzistuese ligjore duhet të shqyrtohet mundësia e mbikëqyrjes së llogarive financiare në bankat evropiane të njerëzve që janë të lidhur me udhëheqjen politike. Dhe ne e dimë se zyrtarë të lartë të qeverisë në Ukrainë kanë depozituar pasuri financiare në bankat e Evropës, burimet e të cilave janë të dyshimta".

Në nëntor të vitit të kaluar, Presidenti Janukoviç hoqi dorë nga nënshkrimi i një marrëveshje tregtare me Evropën, duke favorizuar një marrëveshje kredie me Moskën.
Vëmendja tani është kthyer nga Rusia, e cila është mikëpritëse e Lojërave Olimpike Dimërore. Pas mbarimit të tyre, shumë protestues në Ukrainë frikësohen nga një tjetër goditje nga autoritetet, që mbështeten nga Rusia.

Ian Bond është analist në Qendrën për Reforma Evropiane.

"Disa komente mjaft shqetësuese që vijnë nga Moska sugjerojnë se Moska mund të mendoj se ndoshta do të ishte më mirë nëse Ukraina do të bëhej një shtet federal. Unë mendoj se ky është kod për një lloj ndarjeje të saj në mes të lindjes dhe perëndimit."

Ndërkohë që shfaqja e rivaliteti gjeopolitik vazhdon, protestuesit thonë se nuk do të largohen nga barrikadat deri në plotësimin e kërkesave të tyre.
XS
SM
MD
LG