Lidhje

Kiev, protesta kundër shtyrjes së integrimit në BE


Presidenti i Ukrainës, Viktor Janukoviç do të marrë pjesë në takimin e nivelit të lartë me Bashkimin Evropian, megjithë vendimin e minutës së fundit të marrë nga qeveria e tij për të mos e nënshkruar një marrëveshje historike tregtare me BE-në në favor të forcimit të lidhjeve me Rusinë. Takimi do të zhvillohet në kryeqytetin e Lituanisë, Vilnius.

Udhëheqësit e Bashkimit Evropian kanë akuzuar Rusinë se po i bën trysni politike dhe ekonomike Ukrainës për të shtyrë nënshkrimin e marrëveshjes politiko-tregtare. Ndërkohë, në kryeqytetin e Ukrainës, Kiev, protestuesit u mblodhën për të pestën ditë radhazi, duke i bërë thirrje qeverisë ta nënshkruajë marrëveshjen. Protestuesit mbanin parrulla ku shkruhej "Ukraina është Evropë."


Megjithë temperaturat e ulta, shumë njerëz e kaluan natën në rrugë duke protestuar kundër vendimit të Presidentit Viktor Janukoviç për të shtyrë marrëveshjen e asocimit dhe tregtisë me Bashkimin Evropian dhe për të forcuar lidhjet me Rusinë.

Protestuesit, të grumbulluar pranë zjarreve në sheshin Evropian të Kievit, kishin në plan të marshonin drejt ndërtesave qeveritare.

Shumë njerëz tundnin flamuj të kuq dhe të bardhë të partisë "Atdheu" që i përket Bashkimit Mbarë-Ukrainas.

"Yanukovych erdhi në pushtet në mënyrë të padrejtë dhe tani kërkon ta të mbajë atë madje të kandidojë për një mandat të dytë. Ne duam t'i themi atij të largohet, sepse kështu do të ishte më mirë për vendin," thotë një protestues.

Një tjetër protestues këmbëngul se Ukraina është pjesë e Evropës.

"Jemi të ngopur me bindjen ndaj vëllait të madh këto shtatëdhjetë vitet e fundit," thotë ai.

Të hënën, ish-kryeministrja e burgosur e Ukrainës, Julia Timoshenko, shpalli grevë urie, për të rritur trysninë mbi zotin Yanukovych.

Bashkimi Evropian e shikon burgimin e zonjës Timoshenko të motivuar politikisht dhe ka paralajmëruar se nuk do ta nënshkruajë marrëveshjen pa u liruar zonja Timoshenko.

Presidenti Yanukovych i ka rezistuar presionit të BE-së, me sa duket nga frika se zonja Timoshenko, ndaj së cilës ai fitoi me rezultat të ngushtë në zgjedhjet e vitit 2010, do ta sfidojë sërish në zgjedhjet presidenciale të 2015-s.

Dhjetra policë u mobilizuan të hënën në qendër të Kievit pasi dikush theu xhamat e një furgoni, që thuhej se i përkiste shërbimit të fshahtë

Protestuesit u përleshën me policinë edhe jashtë një ndërtese qeveritare.

Yanukovych merr në mbrojtje vendimin e tij

Të hënën, Presidenti ukrainas Viktor Yanukovych e mbrojti vendimin e tij për të mos nënshkruar një marrëveshje të rëndësishme tregtare me Bashkimin Evropian, ndërkohë që protestuesit pro - evropian në Kiev vazhduan protesta kundër këtij veprimi për dy ditë me radhë.

Presidenti Yanukovych e përshkroi vendimin si "të vështirë, por të pashmangshëm," dhe u zotua për krijimin e një shteti me standarde evropiane. Ai bëri thirrje për paqe dhe qetësi në vend.

Dje në sheshin qendror të Kievit, policia përdori gazin lotsjellës ndaj protestuesve që protestonin kundër vendimit të qeverisë për të mos e nënshkruar marrëveshjen e tregtisë me BE dhe përqëndrimin e saj në lidhjet tregtare me Rusinë.
Marrëveshja me Bashkimin Evropian pritej të nënshkruhej këtë javë në takimin e BE-së në Vilnius të Lituanisë.

Presidenti i Këshillit Evropian Herman Van Rompuy dhe presidenti i Komisionit Evropian Jose Manuel Barroso dje kritikuan Rusinë për presionin që ka ushtruar ndaj Ukrainës në lidhje me marrëveshjen, dhe thanë se oferta e BE-së mbetet në tryezë.

Rusia është akuzuar se ka ushtruar presion ekonomik dhe politik ndaj Ukrainës gjatë muajve të fundit, duke përfshirë kërcënimet për ndërprerjen e furnizimeve me naftë.
XS
SM
MD
LG