Lidhje

Mogherini: Tensionet në Ballkan - shumë të rrezikshme


Shefja për politikë të jashtme e Bashkimit Evropian, Federica Mogherini tha të hënën se tensionet ne rajonin e Ballkanit perëndimorë janë "skajshmërisht të rrezikshme" dhe se Bashkimi Evropian duhet të veprojë me përkushtim për të siguruar ardhmëri evropiane për rajonin.

Ajo i bëri këto komente pas takimit të ministrave të jashtëm të vendeve anëtare të BE-së, të cilët i ka informuar për vizitat që zhvilloi javën që lamë pas në Bosnjë, Mal të Zi, Serbi, Kosovë, Shqipëri e Maqedoni.

"Kam parë në Ballkanin perëndimor këto ditë më shumë sesa më herët, një rajon të ekspozuar ndaj shtresimeve të ndryshme të sfidave dhe tensioneve. Disa ritme të brendshme politike që krijojnë tensione ne disa vende. Disa tensione rajonale ndëretnike ndërmjet vendeve apo brenda tyre, që janë skajshmërisht të rrezikshme sepse mund ta kthejnë rajonin prapa. Paqja asnjëherë nuk mund të merret si e mirëqenë. Po ashtu pashë një rajon të ekspozuar ndaj tensioneve globale. Ballkani mund të bëhet lehtësisht një prej fushë shahu ku mund të luhet loja e fuqive të mëdha", tha zonja Mogherini sipas së cilës e tëra po ndodhë pas një viti të mirë për Ballkanin.

Ajo u shpreh e shqetësuar më zhvillimet në Maqedoni, pas refuzimit të presidentit maqedonas Gjorgje Ivanov për t'i dhënë mandatin kryetarit të Lidhjes Social-Demokrate, Zoran Zaev për formimin e qeverisë në koalicion me partitë shqiptare si dhe protestave të partisë VMRO-DPMNE kundër përdorimit të gjuhës shqipe në shkallë vendi.

"Sa e shqetësuar jam? Jam e shqetësuar. Por, po mësoj të kalojë përtej shqetësimeve dhe të shoh mundësinë për zgjidhjen e krizës politike e institucionale. Besoj që Shkupi po përballet ende me krizë politike e institucionale. Shqetësimi im kryesor është që kjo mund të shndërrohet ne krize ndëretnike dhe ky ishte mesazhi im kryesor që u dërgova përgjegjësve politik në vend. Mos luani me zjarrin, mos e shndërroni këtë në përplasje ndëretnike që mund të shkatërrojë vendin dhe të përhapet përtej. Besoj që ka instrumente. Së pari urtësia e presidentit dhe e dyta mundësitë e parlamentit për të ecur përpara me zgjedhjen e kryetarit ta zëmë, ose zhbllokimin e situatës", tha zonja Mogherini.

Ajo bëri thirrje që në Serbi të tejkalohet retorika e rrezikshme dhe të punojë për paqen në rajon.

Zonja Mogherini tha se lidhur me Shqipërinë nuk është diskutuar ndonjë datë për hapjen e negociatave për anëtarësim, por siç tha, "kemi diskutuar dhe konfirmuar mesazhin që kam dërguar në Tiranë se Bashkimi Evropian është gati të hap negociatat atë çast kur fillon zbatimi i reformës në drejtësi dhe posaçërisht procesin e vetingut".

Zonja Mogherini, vizitoi gjashtë vende të Ballkanit perëndimorë në përpjekje për të siguruar vendet e rajonit se Bashkimi Evropian mbetet i hapur për zgjerim, me gjithë krizën në të cilën ndodhet ai.

Të enjten udhëheqësit e 28 shteteve anëtare të Bashkimit Evropian do të diskutojnë për gjendjen në rajon mes shqetësimeve në rritje për paqëndrueshmërinë e rajonit dhe ndërhyrjen e Rusisë e cila nuk i sheh më sy të mirë integrimet evropiane dhe posaçërisht anëtarësimin e vendeve të rajonit në NATO.

Zonja Mogherini beson se fuqia e BE-së në rajon është e lidhur me besueshmërinë e integrimeve evropiane.

XS
SM
MD
LG