Lidhje

EULEX, aktakuza për krime lufte


Kosovo, EU mission on rule of law
Kosovo, EU mission on rule of law

Misioni i BE-së bëri të ditur se është ngritur aktakuzë kundër 15 personave për krime, që mund të jenë kryer në një qendër paraburgimi të UÇK-së në Likoc në vitin 1998

Në Kosovë, misioni i Bashkimit Evropian për sundimin e ligjit bëri të ditur se është ngritur aktakuzë kundër pesëmbëdhjetë personave nën dyshimet për përfshirje në krime lufte.

Aktakuza e ngritur nga një prokuror i EULEX-it në Gjykatën Themelore të Mitrovicës, ka të bëjë për vepra penale të krimeve të luftës kundër popullatës civile, përfshirë tortura, keqtrajtim të të burgosurve dhe vrasje, të cilat pretendohet se mund të jenë kryer në një qendër paraburgimi të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në fshatin Likoc të komunës së Skenderajt në vitin 1998.

Në mesin e të akuzuarve janë ish komandanti i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Sulejman Selimi, i njohur me emrin e luftës Sulltani, aktualisht ambasador i Kosovës në Tiranë dhe kryetari aktual i komunës së Skenderajt, Sami Lushtaku, ish komandant i zonës së parë të ish UÇK-së.

Të dy ish-komandantët së bashku me pesë të dyshuar të tjerë ndodhen në paraburgim që nga muaji qershor, ndërsa në akuzën e publikuar sot janë përfshirë edhe tetë persona të tjerë.

Fillimi i hetimeve kishte nxitur reagime të shumta, ndërsa organizatat e dala nga lufta e ish Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, u kanë bërë thirrje institucioneve të Kosovës, që siç thuhet, të shqyrtojnë pozicionin e EULEX-it.

Misioni i Bashkimit Evropian për sundimin e ligjit, u vendos në Kosovë pas shpalljes së pavarësisë së saj nga Serbia në shkurt të vitit 2008. Misioni ruan ende fuqi ekzekutive dhe trajton rastet e krimeve te luftës por edhe krimin e organizuar dhe korrupsionin në rastet që vlerësohen me të ndejshme për t’u trajtuar nga prokurorët dhe gjykatësit vendas.
XS
SM
MD
LG