Lidhje

EULEX-i krijon departament të posaçëm për hetimin e pretendimeve të Dik Martit

  • Leonat Shehu

EULEX-i krijon departament të posaçëm për hetimin e pretendimeve të Dik Martit

EULEX-i krijon departament të posaçëm për hetimin e pretendimeve të Dik Martit

Misioni i Bashkimit Evropian për Polici e Drejtësi ka bërë të ditur se është krijuar një departament i posaçëm për hetimin e pretendimeve të ngritura në raportin e të dërguarit të Këshillit të Evropës Dick Marty, për përfshirjen e disa prej ish-drejtuesve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në trafikimin e organeve njerëzore. Zyrtarë të EULEX-it thanë se vendimi për themelimin e këtij departamenti është marrë në Bruksel dhe ai do të përbëhet nga prokurorë dhe hetues, që do të punojnë në vazhdimin e hetimeve paraprake që u filluan nga ky mision që më 27 janar të këtij viti.

Shefi i zyrës për informim në këtë mision Nicholas Hawton thotë se kjo dëshmon rëndësinë që Bashkimi Evropian i kushton kësaj çështje.

“EULEX-i, me mbështetjen e plotë të 27 vendeve anëtare të Bashkimit Evropian, ka vendosur të themelojë një departament të posaçëm që do të çojë përpara hetimin mbi pohimet e bëra nga Raportuesi i Këshillit të Evropës, Dick Marty, në raportin e tij në dhjetor të vitit 2010. Ky departament, përbëhet nga prokurorë dhe hetues, që do të punojë në hetimet paraprake që filluan nga EULEX-i në fillim të këtij viti. Pasi që hetimi përfshin një dimension ndërkombëtar, ky departament do të jetë pjesërisht me seli në Bruksel. Kjo dëshmon rëndësinë që Bashkimi Evropian i kushton kësaj çështje”, tha ai.

Më 25 janar të këtij viti, Asambleja e Këshillit të Evropës miratoi me vetëm tetë vota kundër, raportin e senatorit Dick Marty, në të cilin ngrihen pretendime ndaj disa prej ish-drejtuesve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, përfshirë edhe kryeministrin Hashim Thaçi për përfshirje në trafikimin e organeve të personave që, siç thuhet ishin rrëmbyer nga forcat e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Pretendimet e ngritura në raport, nxitën reagime të zemëruara në Prishtinë ku autoritetet hodhën poshtë pohimet e tilla ndërsa u shprehën të gatshëm të bashkëpunojnë me drejtësinë ndërkombëtare për hetimin e të gjitha pretendimeve.

Të ngjashme

XS
SM
MD
LG