Lidhje

EULEX: Ka një urdhër arresti për Fatmir Limajn , po qartësohet çështja e imunitetit


EULEX: Ka një urdhër arresti për Fatmir Limajn , po qartësohet çështja e imunitetit
EULEX: Ka një urdhër arresti për Fatmir Limajn , po qartësohet çështja e imunitetit

Në Kosovë, Misioni i Bashkimit Evropian për policinë dhe drejtësinë, konfirmoi se ka një urdhër arresti ndaj deputetit Fatmir Limaj, i cili bashkë me nëntë ish pjesëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, dyshohen për përfshirje në krime lufte. Zyrtarët e këtij misioni thanë se kanë biseduar me zotin Limaj për çështjen e imunitetit të tij si deputet i Parlamentit, ndërsa zoti Limaj u shpreh i gatshëm të heqë dorë nga imuniteti për t’u hapur rrugë hetimeve. Nga Prishtina njofton korrespondenti i Zërit të Amerikës, Besim Abazi.

Misioni i Bashkimit Evropian për policinë dhe drejtësinë, konfirmoi mbrëmë se ka një urdhër arresti për deputetin e Parlamentit të Kosovës, Fatmir Limaj. Urdhër arresti ka të bëjë me pretendime serioze për krime lufte, thuhet në një komunikatë të këtij misioni, në të cilën përsëritet njoftimi për arrestimin e nëntë personave të tjerë, nën dyshimet për vrasje, torturë dhe cenim të shëndetit e integritetit fizik të shqiptarëve nga Kosova, civilëve serbë dhe të burgosurve të luftës në fshatin Kleçkë në Kosovën qendrore në vitin 1999.

Në njoftim thuhet se prokurorët e EULEX-it kanë qenë në kontakt me zotin Limaj, për të debatuar situatën e tij, meqë ai është deputet i Parlamentit të Kosovës dhe si i tillë, ka imunitet. Kjo çështje është në proces të qartësimit, thuhet në njoftim.

Deputeti Fatmir Limaj, shprehu mbrëmë gatishmërinë që të heq dorë nga imuniteti për të mos penguar hetimet ndaj tij.

Mbrëmë kam shprehur gatishmërinë time, për raste tilla unë heq dorë nga imuniteti vullnetarisht, nuk dua të fshihem në emër të imunitetit të cilin e jep ligji, për të krijuar sa më shumë hapësirë dhe për ta vënë veten time në dispozicion të drejtësisë dhe ky ka qenë qëndrimi im mbrëmë. Pastaj, si rrjedh drejt heqjes së imunitetit nuk është çështje e imja, është çështje e procedurave ligjore që janë organet kompetente që duhet ti vazhdojnë”, tha zoti Limaj.

Më 30 nëntor të vitit 2005 Gjykata Ndërkombëtare për Krime lufte në Hagë, shpalli të pafajshëm Fatmir Limajn, i cili në shkurt të vitit 2003 qe akuzuar për përfshirje në krime kundër civilëve shqiptarë dhe serbë gjatë luftës së vitit 1998. Vitin e kaluar ndaj zotit Limaj, i cili ishte ministër i transporteve dhe telekomunikacionit, kishin filluar hetime nën dyshimet për korrupsion në ministrinë e tij.

E vetmja gjë që do të më gëzonte mua nga krejt kjo që kam përjetuar këto vite, unë dhe familja ime, nëse rastet e mia ose padrejtësitë ndaj meje, do të bënin që qytetarëve të tjerë të mos u ndodhin”, tha zoti Limaj.

Arrestimet kanë nxitur shumë reagime në Kosovë. Mbrëmë ka reaguar edhe qeveria e Kosovës, duke shprehur siç thuhet “shqetësim për veprimet e EULEX-it, ndërsa shprehet besimi në pafajësinë e të dyshuarve”. Zoti Limaj nuk u duk i kënaqur nga reagimi i qeverisë 24 orë pas arrestimeve.

Shqetësime për arrestimet kanë shprehur edhe institucione tjera të Kosovës, partitë politike dhe shoqata të dala nga lufta, në reagimet e të cilave shprehet edhe droja se veprimet mund te jenë të motivuara politikisht.

EULEX-i ndërkaq nëpërmjet një komunikate, tha se "të gjithë janë të pafajshëm deri sa nuk provohet fajësia. Të gjithë janë të barabartë para ligjit. Por, është detyrë e prokurorëve të pavarur që të nisin hetime kur janë ngritur pretendime serioze", thuhet në njoftim, në të cilin nënvizohet se procesi do të jetë në tërësi i lirë nga çdo ndërhyrje politike.

Të ngjashme

XS
SM
MD
LG