Lidhje

Përfundojnë paqartësitë rreth “Grupit të Drenicës”


Arrestohen tre ish pjesëtarë të UÇK-së të dyshuar për krime lufte që konsideroheshin të arratisur

Pak pas mesnatës, policia e Kosovës shoqëroi për në qendrën e paraburgimit në Dubravë të Istogut në Kosovën perëndimore, tre persona të akuzuar për krime lufte, të cilët nga 20 maji konsideroheshin të arratisur.

Sami Lushtaku, Sahit Jashari dhe Ismet Haxha, janë arrestuar në spitalet e Prishtinës prej nga ishte thënë se janë arratisur derisa po trajtoheshin nën përkujdesjen e Shërbimit Korrektues të Kosovës.

Të tre ata janë pjesë e një grupi të pjesëtarëve të ish Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të njohur si “Grupi i Drenicës” që akuzohen nën dyshimet se siç thuhet në akuzën e ngritur në nëntor të vitit të kaluar kanë “kryer krime lufte kundër popullatës civile, përfshirë tortura, keqtrajtim të të burgosurve, dhe vrasje”, të cilat supozohen të jenë kryer në një qendër paraburgimi të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Likoc të komunës së Skenderajt, në vitin 1998.

Të enjten, një gjykatës i Misionit të Bashkimit Evropian për sundimin e ligjit, lëshoi urdhër arresti ndaj tre të arratisurve të cilët kishin refuzuar vendimin për transferimin e tyre në Qendrën e Paraburgimit në pjesën veriore të Mitrovicës, një zonë e banuar me shumicë serbe, për shkaqe sigurie.

Zyrtarët e EULEX-it thanë se vendimi kishte të bënte vetëm me ditët kur do të zhvillohej procesi gjyqësor kundër tyre në Gjykatën Themelore që ndodhet në veriun e Mitrovicës në përgjegjësinë e së cilës bie edhe rajoni ku dyshohet se mund të jenë kryer krimet që u vihen në barrë të pandehurve.

Gjykuar nga rrethanat, kryesuesi i trupit gjykues vendosi të enjten që të paraburgosurit të mos dërgohen në qendrën e paraburgimit në veri, por në qendrën e paraburgimit në Dubravë të Istogut.

Kjo i dha fund situatës së krijuar që nga 20 maji, e cila nxiti shume debate rreth funksionimit të sistemit të drejtësisë dhe sundimit të ligjit në shtetin e ti i cili para gjashtë vjetësh shpalli pavarësinë nga Serbia.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG