Lidhje

Euralius3- Sfidat e drejtësisë vazhdojnë


Një përpjekje afro 2,3 milionë euro për të bërë gjykatat shqiptare më të pavarura, më transparente dhe më të fryshme.

Projekti i Bashkimit Europian për forcimin e sistemit të drejtësisë shqiptare mbylli sot në Tiranë misionin e tij të tretë, një përpjekje afro 2,3 milionë euro për të bërë gjykatat shqiptare më të pavarura, më transparente dhe më të fryshme. Ky projekt i njohur si Euralius 3 solli në Shqipëri gjatë 30 muajsh, ose 2 vjet e gjysmë, ekspertët më të mirë nga Spanja dhe Italia për t’i bërë gjykatat shqiptare të paanshme, më profesionale dhe më moderne.


Me këshillat e Euralius u krye reforma e imuniteteve dhe u përmirësuan ligjet mbi gjykatën e lartë, gjykatat administrative, administrimin e gjykatave, konferencën gjyqësore dhe avokatinë. Megjithatë shqiptarë dhe europianë të gjithë janë të ndërgjegjshëm që ende ka shumë punë për të bërë.

Autoritetet shqiptare besojnë se BE do të vazhdojë më tej mbështetjen për reformimin e drejtësisë në Shqipëri, jo vetëm me përmirësimin e kushteve të punës, por edhe me ndërtimin e një sistemi profesional karriere që jep drejtësi për qytetarët, e distancuar nga politikat e ditës. Ministri i drejtësisë, Eduard Halimi, tha se Euralius 3 është më misioni më i suksesshëm nga të parët, por sfidat për reformimin e sistemit gjyqësor vazhdojnë të mbeten të shumta.

Ekspertët e EURALIUS 3 sollën në Shqipëri përvojën e shteteve anëtare të BE-së edhe në Këshillin e Lartë të Drejtësisë sa i takon karrierës së gjyqtarëve, në forcimin e përmbaruesve gjyqësorë private, në forcimin e Avokatit të Popullit. Në rreth 40 trajnime kanë marrë përvojën më të mirë rreth 900 zyrtarë e punonjës publikë.

BE ka investuar në Shqipëri gjatë 15 viteve të fundit rreth 150 milionë euro për konsolidimin e shtetit të së drejtës, për ndërtimin e gjykatave, burgjeve dhe ndërtesave të tjera të drejtësisë. Zbatimi i pavarur i ligjit nga gjykatat mbeti një detyrë kryesore në Opinionin e BE mbi përgatitjen e Shqipërisë për anëtarësim. Në atë dokument Komisioni Evropian nënvizoi sundimin e ligjit si një prej 12 detyrat kyçe që duhen plotësuar nga Shqipëria, si kushte për tërë marrë statusin e vendit kandidat dhe për të hapur negociata për anëtarësim.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG