Lidhje

Euro 2012 i detyron ukrainasit të mësojnë anglishten


Ndërsa anëtarët e parlamentit ukrainas po luftojnë rreth statusit të gjuhës ruse në Ukrainë, anglishtja po bëhet gjithnjë e më popullore në vend, pa ndihmën e qeverisë. Forcat e tregut, në të cilin oferta diktohet nga kërkesa si dhe kampionati evropian i futbollit Euro 2012, i cili po organizohet nga Ukraina dhe Polonia, kanë pasur një ndikim të madh duke i bërë ukranasit njohës të tre gjuhëve.

Euro 2012 ka ndryshuar rutinën e përditshme të ukrainasve, veçanërisht atyre që jetojnë në qytetet ku po zhvillohen ndeshjet. Kampionati ka tërhequr shumë turistë në vend, duke u kujtuar ukrainasve se ndërkohë që parlamenti kombëtar lufton për të vendosur se cilën gjuhë ata duhet të flasin, rusishten apo gjuhën ukrainase , gjithnjë e më shumë njerëz në mbarë botën i janë kthyer anglishtes, veçanërisht ata që punojnë në fushën e biznesit ndërkombëtar.
Duke marrë parasysh këtë, disa ukrainas kanë filluar të flasin dhe drejtojnë bizneset e tyre duke përdorur disa gjuhë.

“Ne organizojmë eskursione me ciceronë të cilët flasin anglisht, por shumica e tyre porositen nga disa grupe të vetë-organizuara që po vijnë këtu në Kiev”.

Edhe kryeqyteti ukrainas ka filluar të përdorë anglishten. Emrat e stacioneve të metrosë janë të shkruara në gjuhën ukrainase dhe angleze, dhe të gjitha shenjat janë në të dy gjuhët. Edhe pronarët e restoranteve kanë filluar të ofrojnë menu në anglisht.

“Vitin e kaluar kur isha këtu, gjithçka ishte në gjuhën ukrainase. Tani kudo, në metro për shembull, të gjitha shenjat janë në anglisht dhe në gjuhën ukrainase. Dhe mund të shihet se qyteti është përgatitur për të mirëpritur turistët, sepse tani të gjitha shenjat janë në dy gjuhë”.

Ukrainasit janë të befasuar se sa mirë tifozët e futbollit nga jashtë flasin anglishten edhe pse ajo nuk është gjuha e tyre kombëtare. Ata që kanë pasur një shans të marrin pjesë në Euro 2012, kanë parë efektin e forcave të tregut, pasi punëdhënësit tani kërkojnë punonjës që flasin të paktën tri gjuhë.

“Gjuha angleze është e detyrueshme tani. Pavarësisht se në cilën fushë punoni, gjërat janë në gjuhën angleze”, thotë Tetiana, vullnetare në Euro 2012.

“Numri i njerëzve që flasin anglisht është rritur me shpejtësinë e zërit. Unë njoh njerëz të cilët nuk e flasin anglishten dhe që kanë filluar të ndjekin kurse gjuhësore. Pothuajse të gjithë tani flasin anglisht”, thotë Kateryna, vullnetare në Euro 2012.

Me ardhjen e turistëve në Kiev, banorët lokalë janë duke kuptuar rolin e rëndësishëm që ka gjuha angleze , madje edhe gjatë shikimit të ndeshjeve të futbollit në vendin e tyre. Si rezultat, ukrainasit kanë filluar t’i kthehen shkollës në përpkjekje për të mësuar disa fjalë të gjuhës angleze, vetëm sa për t’i shpjeguar tifozëve të huaj pse ekipi ukrainas për të cilin ata brohorisin do të fitojë.
XS
SM
MD
LG