Lidhje

Vazhdon kriza e emigrantëve në Eurotunel


Kriza e emigrantëve në Eurotunelin që lidh Francën me Britaninë nuk pati shenja rënieje as sot, ndërsa dhjetra imigrantë të zhgënjyer u kthyen në kampet e përkohshme të Kalesë, pas përpjekjeve gjatë natës për të kaluar në anën tjetër.

Ndërkohë që në terminalin e mallrave të Eurotunelit ngrihej dielli, emigrantët e zhgënjyer thonë se po bëhet gjithnjë e më e vështirë të kalosh në anën tjetër, duke kapërcyer gardhet me tela.

"Tani është shumë e vështirë, sepse nuk mund të kalojmë më nga poshtë gardhit. Kur e bënim këtë, ata përdornin spray dhe na godisnin me shkopinj. Kështu nuk mund të jetojmë dot. Ne duam të shkojmë në Britani,” thotë 14-vjeçar nga Afganistani, Musawir Nazari.

Mbrëmë, policia franceze bllokoi emigrantët që përpiqeshin të hynin në Eurotunel për të kaluar në anën tjetër.

Gjatë javëve të kaluara, trafiku i udhëtarëve dhe i mallrave ka pësuar çrregullime të mëdha, sepse emigrantët e dëshpëruar i kanë shtuar përpjekjet për të hipur nëpër kamionë dhe trena.

Prej kohe, emigrantët grumbullohen në Kale të Francës në përpjekje për të kaluar në Britani. Por Eurotunneli – kompania që menaxhon trenat me udhëtarë dhe mallra - thotë se numri i tyre është rritur nga 600 në rreth 5 mijë, duke ia bërë të vështirë punën.

Të paktën 10 imigrantë kanë vdekur në përpjekje për të përshkuar tunelin.

Zyrtarët britanikë dhe francezë po u bëjnë thirrje vendeve të tjera të Bashkimit Evropian dhe komunitetit ndërkombëtar që të ndihmojnë për të mos lejuar ardhjen e refugjatëve nga Afrika në Evropë.

Ndërkohë, policia në Siçili arrestoi një tunizian, i cili sipas saj është përgjegjës për një anije peshkimi të tejmbushur me 360 emigrantë që udhëtonte drejt Italisë dhe që u shpëtua gjatë fundjavës.

Emigrantët e shpëtuar u sollën dje në portin italian të Pozzallos.

Në një deklaratë të policisë thuhej se tuniziani 21-vjeçar ishte rekrutuar nga trafikantët libianë.

XS
SM
MD
LG