Lidhje

Bruksel, takim i Eurogrupit


Zyrtarët europianë të financave u mblodhën sot në Bruksel në kuadrin e Eurogrupit, në prag të takimit të plotë të Këshillit për Çështjet Ekonomike dhe Financiare. Eurogroupi është organ jozyrtar që mbledh ministrat e financave të vendeve të cilat përdorin euron. Ndërkohë po shprehen shqetësime se Greqia mund të mos i arrijë dot objektivat e saj buxhetore.

Jeroen Dijsselbloem, President i Eurogrupit, theksoi sot se vendet pjesëmarrëse duhet të qëndrojnë të angazhuara ndaj Paktit për Stabilitetin dhe Rritjen.

Ky pakt është një suazë rregullash bazë për bashkërendimin e politikave fiskale të secilit vend në Bashkimin Evropian dhe bazohet në parimin se politikat ekonomike të çdo vendi janë çështje e shqetësimit të përbashkët.

Jeroen Dijsselbloem, President i Eurogrupit:

"Është shumë e rëndësishme që të gjitha vendet të qëndrojnë të angazhuara ndaj këtij pakti dhe detyrimeve që rrjedhin prej tij. Kjo ka shumë rëndësi për besimin brenda Eurogrupit, brenda Eurozonës, por edhe për besimin e botës së jashtme ndaj Eurozonës", - tha Presidenti i Eurogrupit, Jeroen Dijsselbloem.

Duke folur për gjendjen në Greqi, zoti Dijsselbloem shprehu shqetësim në lidhje me kufizimet kohohe me të cilat përballet vendi për të arritur objektivat buxhetore.

Parlamenti i Greqisë miratoi sot në orët e para të mëngjesit buxhetin e vitit 2015, i cili parashikon ngushtimin e deficitit dhe një rritje ekonomike prej 2,9 për qind.

Ligjvënësit votuan me 155 vota pro dhe 134 kundër në favor të buxhetit të ri, i cili parashikon masa të reja shtrënguese por nuk i plotëson kërkesat e eurozonës për rimëkëmbjen ekonomike të Greqisë.

Rezultati i votimit pritej, ndërkohë që qeveria konservatore e kryeministrit Antonis Samaras kërkonte një buxhet të balancuar.

Antonis Samaras, kryeministër i Greqisë:

"Pas shumë dekadave, vendi ynë ka këtë vit, buxhetin e parë të balancuar, është një moment historik, më të vjetrit do të befasohen që diçka e tillë ndodhi dhe shpresoj që të më rinjtë do të vazhdojnë në këtë rrugë, sepse është rruga e vetme për për zhvillimin e vërtetë," tha Kryeministri grek.

Paraskevi Tzaki:

"Situata është shumë e vështirë për të gjithë", - thotë Paraskevi Tzaki.

Greqia pritet të zhvillojë zgjedhjet presidenciale në muajin shkurt.

Nëse koalicioni i zotit Samaras nuk arrin të fitojë vota të mjaftueshme, atëherë do të ketë zgjedhje të parakohshme dhe kjo ngre mundësinë që në pushtet të vijë partia opozitare Syriza.

Udhëheqësi i Syrizës, Alexis Tsipras është kundër masave shtrënguese.

Alexis Tsipras, udhëheqës i partisë opozitare Syriza:

"Rezultati i votimit provon se qeveria është vetëm një hap përpara fundit," - tha zoti Tsipras.

Partia Syriza po përpiqet të ushtrojë trysni për zhvillimin e zgjedhjeve, duke u bërë shkak për shqetësimet se vendi mund të mos i respektojë angazhimet financiare ndaj BE-së.

XS
SM
MD
LG