Lidhje

Maqedoni: Opozita do të marrë pjesë në zgjedhje

  • Isak Ramadani

Komisioneri për zgjerim i BE-së, Fyle dhe deputetët evropianë Howitt dhe Buzek ndërmjetësuan arritjen e marrëveshjes mes pushtetit dhe opozitës

Komisioneri për zgjerim i Bashkimit Evropian Shtefan Fyle dhe deputetët evropianë Richard Howitt dhe Jirzhi Buzek ndërmjetësuan arritjen e marrëveshjes midis pushtetit dhe opozitës në Maqedoni për t’i dhënë fund krizës politike që ka përfshirë këtë vend që prej muajit dhjetor.



Komisioneri Fyle u takua së pari veç e veç me kryeministrin Nikolla Gruevski, me Kryetarin e Lidhjes Social Demokrate Branko Cërvenkovski dhe me atë të Bashkimit Demokratik për Integrim Ali Ahmeti. Më pas ata u mblodhen përveç BDI-së, me të gjithë të tjerët në zyrat e presidentit Gjorgje Ivanov.
Komisioneri Fyle nuk u prononcua vetë në lidhje me marrëveshjen e arritur e as drejtuesit politikë maqedonas. Ndërkohë, deputeti i Parlamentit Evropian Richard Howitt, i cili është dhe raportues për Maqedoninë, e bëri të ditur përmbjatjen e saj.
Zoti Howitt la të kuptohej se për zgjidhjen e krizës politike, partitë dakordohen që të mbështesin përparësitë strategjike të vendit përmes një memorandumi ndërpartiak të mirëkuptimit, apo një vendimi nga ana e Parlamentit për mbështetjen e axhendës euroatlantike të Maqedonisë dhe që të tërhiqen nga veprimet të cilat mund ta minojnë këtë synim.
“Të mbështeten reformat kyçe, përfshirë funksionimin e Parlamentit, që të formohet një komision ad hoc për ndriçimin e ngjarjeve të 24 dhjetorit në Parlament dhe të rishikohet rregullorja e Parlamentit; që të vazhdojnë bisedimet pa paragjykime mbi të gjitha opsionet për përcaktimin e datës së zgjedhjeve të ardhshme parlamentare. Pas zgjedhjeve vendore, të rishikohet regjistri i votuesve dhe të plotësohen rekomandimet e OSBE-së dhe ODIHR-it” ,- tha zoti Howitt.
Rezultatet do të pasqyrohen në raportin e Komisionit Evropian në vjeshtë të këtij viti.
Lidhur me kalendarin e zgjedhjeve, partitë bien dakord për një kohë shtesë për dorëzimin e listave të kandidatëve, dhe menjëherë pas zgjedhjeve vendore të takohen për të diskutuar mbi gjendjen politike, lirinë e shprehjes, rifillimin e dialogut me gazetarët për masat e mirëbesimit.
Palët e përfshira në marrëveshje pritet të bëjnë të ditur hollësi të tjera.
Këtë muaj është caktuar takimi për dialogun e nivelit të lartë midis Komisionit Evropian dhe Qeverisë së Maqedonisë.

Komisioni Evropian pret që marrëveshja të zbatohet. Zyrtarët evropianë erdhën në Shkup me qëllim të nxitjes së politikanëve për daljen nga udhëkryqi dhe për të mundësuar funksionimin normal të institucioneve të Maqedonisë.
Presidenti Gjorgje Ivanov falënderoi pushtetin, opozitën si dhe komisionerin e Fyle dhe eurodeputetët të cilët mundësuan, siç tha, kthimin e axhendës evropiane në rend dite në Maqedoni.
XS
SM
MD
LG