Lidhje

Pesimizëm për ekonominë evropiane

  • Henry Rdigewell

EUROPE ECON

EUROPE ECON

Udhëheqësit evropianë kanë qenë të përmbajtur në fjalimet e tyre të fundit të vitit

Disa udhëheqës evropianë kanë shprehur pesimizëm në fjalimet e fundit të vitit, duke paralajmëruar se viti 2013 do të sjellë vështirësi të mëtejshme ekonomike. Korrespondenti i Zërit të Amerikës Henry Ridgwell njofton nga Londra:

Viti 2012 ishte i trazuar për Evropën dhe kancelarja gjermane Angela Merkel e mbylli vitin me një ton të zymtë, me paralajmërimin se viti i ardhshëm do të jetë edhe më i vështirë.

“Reformat kanë filluar të japin efekt. Megjithatë duhet të vazhdojmë të tregojmë durim. Kriza nuk ka mbaruar”.

Fjalimi i saj mund ta ketë errësuar atmosferën e festimeve të fund-vitit, por Spyros Economides i Fakultetit Ekonomik në Londër thotë se ajo ka arsye të jetë e përmbajtur.

“Pas 10 muajsh në Gjermani do të mbahen zgjedhje dhe kjo do të thotë që para atij cikli zgjedhjesh asgjë drastike nuk do të ndodhë. Nëse Angela Merkel fiton, besoj se Gjermania do të mbajë një qëndrim më të vendosur dhe do të thotë: ‘tani duhet të bëjmë ndryshime të mëdha në institucionet evropiane’”.

Megjithëse nuk është anëtare e Eurozonës, edhe Britania po përpiqet të ketë një rol drejtues në ndryshimet e Evropës. Shumë ligjvënës të partisë së kryeministrit David Cameron duan që Britania të dalë nga Bashkimi Evropian. Në fjalimin e tij të fund-vitit, zoti Cameron ishte gjithashtu i përmbajtur.

“Britania, është një garë globale për sukses. Është një garë me vende si Kina, India dhe Indonezia; një garë për vendet e punës dhe mundësitë për të ardhmen. Kështuqë kur njerëzit thonë se mund ta ngadalësojmë pakësimin e borxhit, ne u themi jo”.


Borxhi po vazhdon të rëndojë tek ekonomia spanjolle. Bankia, që ishte shpëtuar një herë nga shteti, tani po merr një paketë shpëtimi nga Bashkimi Evropian, por në kurriz të kursimeve dhe pensioneve të 350 mijë vetëve.

Kryeministri spanjoll Mariano Rajoy tha se financat e shtetit spanjoll të paktën mbijetuan në vitin 2012.

“A është shmangia e paketës së shpëtimit, arritja më e madhe e vitit? Jo. Mendoj se arritja më e madhe këtë vit ishte ndryshimi i drejtimit të politikave ekonomike”.

Sony Kapoor i grupit të analizave Re-Define thotë se ky lloj diskutimi është i pavlefshëm.

“Perspektiva e rritjes nuk ka qenë kurrë më e keqe. Papunësia është në nivele rekord dhe hapësira politike dhe kapitali politik në dispozicion për të përballuar këto probleme ekonomike po tkurret”.

Nga fronti politik, Evropa do të shohë rikthimin e disa fytyrave të njohura. Ish-kryeministri italian Silvio Berlusconi, që u deturua të jepte dorëheqjen në vitin 2011 në kulmin e krizës së borxhit, ka në plan të zhvillojë një fushatë të së djathtës së qendrës për zgjedhjet e shkurtit. Ai do të përballet me kryeministrin aktual Mario Monti.

XS
SM
MD
LG