Lidhje

Rimëkëmbja e Eurozonës


Shefi i Bankës Qendrore evropiane Mario Draghi deklaroi se rimëkëmbja do të vijë në gjysmën e dytë të vitit

Shefi i Bankës Qendrore evropiane Mario Draghi deklaroi sot se ekonomia në eurozonë do të rimëkëmbet në gjysmën e dytë të vitit. Duke folur në Forumin Ekonomik Botëror në Davos të Zvicrës, ai shpjegoi arsyet që sollën këtë parashikim dhe përmendi për një “ndjesi të re qetësie relative”.

Zoti Draghi tha se qeveritë duhet të vazhdojnë reformat strukturore për të ndihmuar ekonomitë e tyre të rriten me ritëm më të shpejtë gjë që do të reduktonte borxhin qeveritar.

“Ajo që po ndodh është një ndikim pozitiv në tregjet financiare por këto shenja ende nuk janë shfaqur në ekonominë reale”.

Ai tha se nëse një gjë e tillë realizohet, nxitja ekonomike nga interesat e ulta dhe kreditë e buta për bankat duhet të arrijnë të japin rezultate tek ekonomia.

“Niveli i aktivitetit ekonomik është në procesin e stabilizimit. Dhe ne parashikojmë një rimëkëmbje në gjysmën e dytë të vitit”.

Vitin e kaluar vende me borxh të thellë si Spanja dhe Italia u përballën me kosto shumë të lartë huamarrjeje në tregjet e letrave me vlerë, ndërsa investitorët shqetësoheshin nëse këto vende do të arrinin t’i shlyenin borxhet.

Përqindjet e interesit të bonove ranë pas hapave të rëndësishëm që morën udhëheqësit evropianë, një prej të cilëve ishte oferta e Bankës Qendrore Evropiane për të blerë bono thesari të vendeve të rënduara nga borxhet nëse ato angazhohen të ulnin defiçitin.

XS
SM
MD
LG