Lidhje

Ndikimi i terrorizmit dhe çështjes së refugjatëve, tek zgjedhjet evropiane


Ndërsa Shteti Islamik zmbrapset në Siri dhe Irak, kërcënimi terrorist nga xhihadistët pritet të bëhet një faktor kyç në një sërë zgjedhjesh kombëtare dhe rajonale në gjithë Evropën.

Disa janë të shqetësuar se në një atmosferë ethesh pararzgjedhore në Austri, Francë, Gjermani dhe Hollandë, politikanët që po përpiqen të sigurojnë votat me populizëm, rrezikojnë të ndihmojnë, megjithëse pa qëllim, propagandistët xhihadistë dhe rekrutët, duke e paraqitur fenë islame si një kërcënim për identitetin kombëtar.

Në gjithë Evropën ka një rigjallërim të politikës së identitetit ndërsa rritet frika për islamizmin dhe terrorizmin dhe debatet ashpërsohen lidhur me balancën që duhet vendosur mes sigurisë dhe lirisë.

Të dielën, Alternativa për Gjermaninë, një parti nacionaliste, anti-imigracion e së djathtës së skajshme, themeluar vetëm tre vjet më parë, siguroi një mbështetje të konsiderueshme në zgjedhjet rajonale, një vit pas vendimit të kancelares gjermane Angela Merkel për të hapur kufijtë e vendit për refugjatët. AfD i spostoi Kristian-demokratët konservatorë në vend të tretë në shtetin e kancelares.

Disa shtrojnë pyetjen nëse AfD mund të dalë po aq mire në zgjedhje të mëpasshme rajonale, gjatë 12 muajve të ardhshëm dhe më pas në zgjedhje kombëtare.

“Duhet të presim të shohim nëse në muajt në vazhdim, debati për refugjatët do të vazhdojë të jetë çështja kryesore, apo do të zëvendësohet nga çështjet ekonomike“, sipas Jean-Michel De Waele, një profesor i shkencave politike në Universitetin Liria në Bruksel.

E ardhmja e politikës evropiane?

Suksesi i AfD-së të dielën, e ka befasuar Evropën, duke dërguar sinjalin se në zgjedhjet e ardhshme pritet konsolidimi i rrymës populiste, anti-imigracion, duke i detyruar partitë dhe politikanët më centrist që të marrin masa më të rrepta sigurie dhe një retorikë më të ashpër kundër imigracionit për të zmbrapsur sfidën e tyre.

Kjo do të ndryshonte politikën evropiane dhe ndoshta edhe negociatat mes Bashkimit Evropian dhe Britanisë, që votoi në korrik për t’u larguar nga blloku ekonomik. Një prirje e tillë do të kishte ndikim edhe tek marrëdhëniet mes Perëndimit dhe Rusisë, e cila është përpjekur të krijojë marrëdhënie dhe ndoshta edhe të financojë disa parti të së djathtës ekstreme evropiane.

Por ndikimi më i menjëhershëm mund të jetë mbi marrëdhëniet mes myslimanëve dhe jo-mylsimanëve. Toni për sezonin e zgjedhjeve në Francë, duket se është vendosur nga debatet e verës mbi përpjekjet e dhjetra kryebashkiakëve të qyteteve bregdetare që të ndalojnë “burkinin”, kostumin e banjës modest që veshin gratë myslimane.

XS
SM
MD
LG