Lidhje

Kriza e imigrantëve në Evropë


Vendet e Bashkimit Evropian po përpiqen të gjejnë një zgjidhje për të pakësuar numrin e imigrantëve të paligjshëm, ndërkohë që rruga e ashtuquajtur e Ballkanit vazhdon të jetë e mbyllur. Dhe ndërsa kriza nuk jep shenja lehtësimi, tragjedia goditi përsëri një grup imigrantësh, kur pesë prej tyre, përfshirë një foshnjë, u mbytën pranë brigjeve perëndimore të Turqisë, pasi një varkë me të cilën po shkonin drejt Greqisë u mbyt rrugës për në ishullin Lesbos.

Ministrat e Brendshëm dhe të Drejtësisë së Bashkimit Evropian duan ta lehtësojnë krizën duke i ofruar Turqisë miliarda Euro ndihmë, si edhe premtime për një përshpejtim të liberalizimit të vizave për turqit që udhëtojnë në Evropë dhe një bisedimeve për anëtarësim në BE.

Objektivi është që të shkurajohen imigrantët e paligjshëm dhe të frenohen trafikantët e qenieve njerëzore, që i dërgojnë ata në rrugën e rrezikshme përmes Egjeut. Megjithatë, imigrantët kanë vazhduar të përshkojnë rrugën nga Turqia ditët e fundit, disa here me pasoja tragjike. Rasti më i fundit ishte ai kur pesë prej tyre, përfshirë një foshnje, u mbytën në brigjet perëndimore të Turqisë pasi një varkë që po i sillte në Greqi u fundos rrugës për në Lesbos.

Sipas njoftimeve nëntë vetë u shpëtuan nga varka që ishte e mbushur me imigrantë afganë dhe iranianë. Dy prej tyre ende nuk janë gjetur.

Komisioneri i BE-së për imigracionin Dimitris Avramopoulos tha se kriza rrezikonte të kthehej në një “katastrofë humanitare”:

“Nëse duam që t’i japim fund hyrjes së rrezikshme vdekjeprurëse dhe të paligjshme, duhet të hapim një rrugë të sigurt dhe të rregullt. Përndryshe do të shohim imigrantë dhe trafikantë, ata trafikantë të paligjshëm që janë pas tyre, të përpiqen të gjejnç rrugë të reja”, tha ai.

Kombet e Bashkuara dhe grupet e të drejtave të njeriut kanë paralajmëruar se planet që parashikohen në marrëveshje për të kthyer mbrapsht në Turqi të gjithë imigrantët që nuk i plotësojnë kushtet në këmbim të shpërblimeve financiare dhe politike mund të jenë të paligjshme.

Ministrja e Brendshme austriake Johanna, Mikl-Leitner tha se BE-ja rrezikon vlerat e saj duke i ofruar Turqisë një regjim pa viza, sidomos disa ditë pasi Turqia bastisi gazetën opozitare Zaman.

Austria, vendi i fundit drejt Gjermanisë për qindra mijëra njerëzit që ikin nga konflikti dhe varfëria, ka kërkuar që fluksi të ndalet.

Zonja Mikl-Leitner në një artikull për një gazetë gjermane sot, u shpreh që rruga e Ballkanit të vazhdojë të mbetet e mbyllur, pasi Sllovenia, Maqedonia, Serbia dhe Kroacia mbyllën kufijtë këtë javë për të gjithë imigrantët përveç atyre që duan të kërkojnë azil brenda kufijve të tyre.

Me këta kufij të mbyllur dhe përpjekjet për të kthyer imigrantët mbrapsh në Turqi, ministrat dhe ekspertët shprehën sot shqetësimin se nën dëshpërimin për të gjetur strehë në Evropë, njerëzit po përdorin trafikantët për të kaluar në rrugë alternative, përmes Shqipërisë, Hungarisë, Bullgarisë dhe Rumanisë.

Presioni ndaj Italisë mund të rritet nëse njerëzit e bllokuar në Greqi, përpiqen të kalojnë në Shqipëri dhe që andej të kapërcejnë Adriatikun për në Itali. Sipas agjencisë së lajmeve ANSA, Ministri i Brendshëm Italian Angelino Alfano tha se i kishte kërkuar homologëve të tij në BE, që ta përfshinin Shqipërinë në planet evropiane si një partner të mundshëm strategjik për të ndalur imigrantët që vijnë përmes Ballkanit.

Ndërkohë, Ndihmës Sekretarja amerikane e Shtetit për Evropën dhe Euroazinë, Victoria Nuland vizitoi sot kampin e mbingarkuar me refugjatë të Idomenit në Greqi, ku bisedoi me zyrtarët lokale për kushtet e refugjatëve. Ajo shkoi gjithashtu në Gjevgjeli të Maqedonisë ku foli me zyrtarët maqedonas dhe anëtarë të personelit të sigurisë nga Sllovenia dhe Serbia dhe vende të tjera që po ndihmojnë Maqedoninë të patrullojë kufirin.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG