Lidhje

Ekstremi i djathtë avancon në anketat para-zgjedhore


Fitorja e Donald Trumpit në zgjedhje u përshëndet nga politikanë të ekstremit të djathtë në të gjithë globin, veçanërisht në Evropë ku po afrojnë zgjedhjet në një numër vendesh dhe këto forca politike po gjejnë mbështetje në rritje. Në Austri zgjedhjet do të zhvillohen më 4 dhjetor. Siç njofton korrespondenti Henry Ridgewell, votuesit austriakë pritet që për herë të parë nga Lufta e Dytë Botërore të zgjedhin një kryetar shteti të ekstremist të djathtë.

Norbert Hofer shpreson të shfrytëzojë valën globale të populizmit dhe të bëhet presidenti i ardhshëm austriak:

“Kurdo kur elitat distancohen nga votuesit, këto elita humbasin në zgjedhje,” thotë ai.

"Partia e Lirisë" e zotit Hofer ka paralajmëruar se do të ketë luftë civile lidhur me imigracionin. Retorika e tij ekstreme ka tërhequr mbështetës dhe tani ai gëzon një epërsi të vogël mbi rivalin e Partisë së Gjelbër, Alexander Van der Bellen:

“Politikanët po e shfrytëzojnë këtë frikë. Ata kanë ofruar një model të ri identifikimi. Modeli bazohet në epokën e tokave të arta, megjithëse një gjë e tillë nuk ka ekzistuar kurrë,” - thotë Andrea Mammone i Universitetit Holloway në Londër.

Marine Le Pen, udhëheqëse e Frontit Kombëtar, një forcë politike e ekstremit të djathtë në Francë ka premtuar kthim në kohën para krijimit të Bashkimit Evropian dhe tregtisë së lirë globale:

“Britanikët dhe amerikanët nuk i përfillën këto ide të imponuara. Mendoj se edhe francezët nuk do t’i përfillin”.

Sistemi zgjedhor francez me dy raunde deri tani nuk ka lejuar ardhjen në pushtet të ekstremit të djathtë. Por 2016 tregoi se këtë radhë nuk mund të mbështetemi tek rezultatet e së kaluarës për të bërë parashikime:

“Shumë njerëz mendojnë se ndoshta ia vlen të votosh pro këtyre lëvizjeve në shenjë proteste, pasi mendojnë se këtë radhë vota e tyre do të ketë vlerë dhe mund të sjellë ndryshim, ose së paku do ta shkundë elitën në pushtet,” thotë zoti Mammone i Universitetit Holloway.

Kritikët shohin një faktor të përbashkët në lëvizjet e ekstremit të djathtë, Presidentin rus Vladimir Putin, aleat i këtyre forcave. Bankat ruse i kanë dhënë zonjës Le Pen kredi prej miliona dollarësh për fushatë:

“Putini është i gatshëm t’i mbështesë me fonde këto lëvizje të ekstremit të djathtë pasi krijojnë presion jo vetëm brenda Bashkimit Evropian, por gjithashtu dëshmojnë forcën që ka Rusia në zhvillime globale,” thotë zoti Mammone.

Në Itali opozita që shpreh simpati të hapur për Presidentin Putin, shpreson të fitojë referendumin e 4 dhjetorit duke bllokuar një ndryshim kushtetues, gjë që mund të rrëzojë nga pushteti kryeministrin Matteo Renzi.

Në Holandë, Partia e Lirisë, një forcë politike e ekstremit të djathtë kryeson në fushatë në përgatitje për zgjedhjet e 2017, megjithëse udhëheqësi i saj Geert Wilders po gjykohet, i akuzuar për nxitjen e urrejtjes racore.

Për momentin të gjithë i kanë sytë te Austria, ku mund të ndjehet tërmeti i parë në një seri tronditjesh politike në Evropë.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG