Lidhje

Evropa e përfshirë nga protestat


eu protests
eu protests

Grevat kanë përfshirë shumicën e vendeve të Bashkimit Evropian

Sot forcat e policisë janë rreshtuar në stacionet e trenave, autobusëve dhe aeroportet në Evropë ndërkohë që grevat e përgjithshme kundër masave shtrënguese dhe reformave ekonomike filluan pothuaj në mbarë kontinentin. Një zyrtar i Ministrisë së Brendshme spanjolle tha se 32 vetë janë arrestuar dhe 15 njerëz po trajtohen për lëndime të lehta që kanë marrë gjatë trazirave në Spanjë.

Rritja nivelit të papunësisë në Evropën Jugore dhe mbyllja e kompanive dhe fabrikave në mbarë kontinentin, ka bashkuar punëtorët në Bashkimin Evropian të cilët kanë organizuar një numër grevash dhe demonstratash.
Shumica e qeverive evropiane në vitet e fundit janë detyruar të bëjnë shkurtime të shpenzimeve, pensioneve, programeve tjera sociale dhe kanë rritur taksat për të vënë nën kontroll borxhin publik.

Kjo valë shkurtimesh nuk ka përfshirë vetëm qeveritë e vendeve në vështirësi financiare si Greqia, por edhe vendet të cilat tradicionalisht janë më të qëndrueshme, si Franca dhe Britania.

Shkurtimet e shpenzimeve kanë rezultuar në një rënie dramatike të standardit të jetesës në shumë vende ku udhëheqësit kanë pranuar pasojat politike të shkurtimeve për të cilat ata pretendojnë se janë të pashmangshme.

Duke marrë parasysh mungesën e zgjidhjes së problemeve ekonomike, punëtorët sot bënë përpjekje për të treguar qëndrimet e tyre ndaj gjendjes ekonomike.

Greva e përgjithshme u përhap në Spanjë, ku niveli 25 për qindësh i papunësisë është në qendër të trazirave sociale në BE.

Në stacionin e trenit Atocha në Madrid turmat e protestuesve janë përballur me kordonët e policë duke bërë thirrje kundër politikave ekonomike të qeverisë.

Sindikata e Përgjithshme e Punëtorëve të Spanjës tha se greva e dytë në mbarë vendin brenda këtij viti po respektohet nga pothuaj të gjithë punëtorët në industrinë e automobilave, energjisë, ndërtimit të anijeve dhe industrinë e ndërtimit.

Qeveria minimizoi ndikimin e grevës.

Në Belgjikë një grevë 24-orëshe e punonjësve hekurudhor dhe përhapja e grevave në jug të vendit kanë krijuar ndërprerje të aktiviteteve të përditshme.

Grevat kanë shkaktuar vonesa dhe ndërprerje të shërbimeve të trenave të shpejtë të kompanive Thalys dhe Eurostar që lidhin Brukselin me Londrën dhe Parisin pasi disa anëtarë të sindikatave qëndronin mbi shinat e trenave.

Të veshur me rroba të kuqe demonstruesit hodhën fishekzjarre në stacionin e trenit Gare du Midi në Bruksel.

Dje kompania Thalys anuloi të gjitha linjat në drejtim të Gjermanisë dhe anasjelltas. Kompania Eurostar ka paralajmëruar udhëtarët të mos udhëtojnë sot në drejtim të Brukseli për shkak të ndrëprerjes së shërbimeve.

Filip Peers, anëtarë i Sindikatës së Përgjithshme të Shërbimeve Publike beson se autoritetet duhet të fillojnë t’i kushtojnë vëmendje pakënaqësive në mesin e punëtorëve.

“Veprime të tjera do të pasojnë kështu që udhëheqësit do të duhet të dëgjojnë, sepse përndryshe unë mendoj se ata do të kenë një problem të madh”, - tha ai.

Sipas mediave lokale punëtorët e aeroporteve në Portugali sot janë hedhur në grevë duke ndikuar të paktën 45 për qind të fluturimeve që operohen nga linja ajrore portugeze TAP.

Greva e përgjithshme në Portugali ishte kundër masave shtrënguese të lidhura me një paketë ndihmash financiar nga komuniteti ndërkombëtar me vlerë 78 miliardë euro.

Greva pritet të mbyllë shërbimet publike dhe të krijojë ndërpreje të shërbimeve të transportit publik në mbarë vendin.


Evropa ka qenë mbështetëse globale e sindikatave dhe e të drejtave të punëtorëve gjatë gjysmë shekullit të kaluar. Programet sociale dhe mbështetja e punëtorëve nga ana e shtetit ka qënë gurthemel i vendeve të kontinentit, duke garantuar kujdesin shëndetësor, beneficione të mëdha të papunësisë dhe pensioneve bujare.

Nëse këto programe nuk do të ishin nën kërcënim të drejtpërdrejtë, ndikimi i grevave të sotme do të ishte më i vogël.

Edhe në Gjermani dhe në Danimarkë ka patur një numër të vogël protestash. Por në këto vende nuk ka pasur greva pasi bashkëpunimi midis punëtorëve dhe punëdhënësve deri tani i ka përballuar krizës.

















XS
SM
MD
LG