Lidhje

Turizmi në Francë gjatë kësaj vere ka pësuar rënia në krahasim me një vit më parë. Sulmet terroriste të nëntorit në Paris dhe të korrikut në Nisë kanë ndikuar që numri i turistëve nga vende si Japonia, Kina, Gjiri Persik ose Shtetet e Bashkuara të ulet. Ndërsa në Britaninë e Madhe, ulja e vlerës së paundit pas referendumit për t’u larguar nga Bashkimi Evropian, ka inkurajuar më shumë prenotime për udhëtime atje. Njerëzit që më parë e konsideronin vendin të shtrenjtë për pushime, tani e shohin ndryshe.

Parizianët pëlqejnë të thonë se ata ikin nga qyteti për pushime gjatë gushtit dhe ia besojnë çelsat turistëve.

Këtë vit, numri i turistëve që e pranojnë ofertën është ulur, për shkak të sulmeve të fundit teroriste në Francë.

Hotelet kanë shënuar një rënie të klientëve prej 12 për qind në qershor, në krahasim me të njejtin muaj të një viti më parë, sipas kompanisë së marketingut MKG Hospitality.

Vitet e mëparshme, duheshin orë të tëra në rradhë për të hyrë në muzetë e njohur si ai i Luvrit apo në Kullën Eifel. Këtë herë, rradhët janë më të shkurtra.

Një turist nga Kanadaja, tha se vizitoi Nisën me të afërmit dhe u përpoq të mos mendonte për sulmin e muajit të kaluar.

“Ishim në Nisë për dy ditë dhe na pëlqeu. Por prapë na trishtoi, se pamë vendin e sulmit. Megjithatë përpiqemi të mos frikësohemi se jeta vazhdon,” tha ai.

Industria e turizmit e Francës, që luan një rol të rëndësishëm për ekonominë e vendit, është dëmtuar, që pas sulmeve terroriste të muajve të fundit. Në nëntor të vitit të kaluar, persona të lidhur me Shtetin Islamik, vranë 130 njerëz në Paris, muajin e kaluar, Ditën e Bastijës, një militant vrau 85 persona pasi shtypi me kamion turmat në qytetin bregdetar të Nisës dhe dy javë më pas, dy burra vranë një prift në një qytet të vogël në Normandi.

“Erdhëm në Francë, por është e vështirë për shkak të sulmeve terroriste, por duhet të vazhdojmë me jetën, me vizitën tonë në Francë,” tha një turiste nga Italia.

Turistët që shpenzojnë më shumë, ata nga Shtetet e Bashkuara, Azia dhe nga Gjiri Persik në veçanti hezitojnë të kalojnë pushimet atje për shkak të sulmeve, tha ministri francez i turizmit Matthias Fekl në një intervistë për gazetën Le Journal du Dimanche.

Numri i turistëve ra prej 10 për qind në periudhën janar-maj 2016, në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit 2015, tha zyra e turizmit të rajonit të Parisit.

Rëniet më të mëdha të turistëve ishin të atyre nga Japonia, një rënie prej 46 për qind; nga Rusia, rënie prej 35 për qind; dhe nga Italia, me 28 për qind. Ndërsa numri i turistëve nga Kina ra me 20 për qind.

Ndërsa në Britaninë e Madhe, po vihet re një prirje e ndryshme. Prenotimet për fluturime kanë shënuar rritje pasi vizitorët duan të përfitojnë nga ulja e vlerës së paundit.

“Pas rezultatit të referendumit në qershor pamë një dobësim të paundit, dhe kjo do të thotë se është mjaft tërheqëse për vizitorët ndërkombëtarë. Paundi ka rënë 10 për qind kundrejt dollarit, 11 për qind kundrejt euros, dhe kjo do të thotë se njerëzit që më parë mund të kenë menduar se Britania e Madhe ishte një destinacion i shtrenjtë tani po e shohin ndryshe, si një destinacion me vlerë të mirë,” thotë Amy Gray e kompanisë “Visit Britain”.

Prenotimet joevropiane si ato nga Hong Kongu, Shtetet e Bashkuara dhe Kanada, u rritën 8.6 për qind gjatë 28 ditëve pas votës për largim, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Rritja e numrit të vizitorëve mund t’i japë një shtysë ekonomike pikave turistike, industrisë hoteliere, restoranteve dhe dyqaneve në të gjithë Britaninë.

XS
SM
MD
LG