Lidhje

Një formë e re trafiku në vendet e BE


Policia në Evropë po përpiqet të luftojë një lloj të ri trafiku njerëzor. Çdo vit, dhjetra gra të reja nga zona të varfëra të Evropës Lindore shkojnë në Perëndim për martesa të rreme. Autoritetet thonë se burrat janë në përgjithësi nga vende aziatike dhe afrikane, që jetojnë në Bashkimin Evropian ilegalisht ose me viza për qëndrim të përkohshëm. Ata duan gra evropiane që të fitojnë të drejtën të jetojnë dhe punojnë në Bashkimin Evropian.

Grave u thuhet se do t’u gjejnë punë dhe do t’u japin para por shpesh ato mbeten me duar bosh madje edhe më keq, detyrohen të bëhen prostituta.

Një bastisje gjatë natës në një shtëpi në Rochdale pranë Manchesterit në veri të Anglisë në fund të vitit të kaluar, solli si rezultat arrestimin e 13 vetëve për sjelljen me mashtrim të një gruaje shtatzënë dhe shitjen e saj në një martesë të rreme.

Këto lloj martesash janë një formë shfrytëzimi që gjen terren në zona jo të zhvilluara si Krisovska Lieskova në juglindje të Sllovakisë, pranë kufirit me Hungarinë dhe Ukrainën.

Në këtë zonë të rrënuar jetojnë rreth 250 vetë të komunitetit rom, pakica më e varfër e Evropës.

Ata jetojnë në varfëri të thellë. Pjesa më e madhe e kasolleve nuk ka tubacione. Ata e marrin ujin nga një pus i ndryshkur dhe i ndotur.

Klara Balogova ishte 18 vjeç, pa para dhe në periudhën e fundit të shtatzanisë kur u largua nga fshati për të shkuar në Britani për t’u martuar me një burrë që nuk e kishte takuar kurrë. Ai ishte një pakistanez 23 vjeçar.

Balogova, që është kthyer tani në shtëpi tek prindërit, ra dakord të intervistohej por duke mos treguar fytyren.

Ajo tregon se si mbahej mbyllur në apartament, nën mbikqyrjen e burrit të saj të ardhshëm apo vëllait të tij.

"Nuk më linte asnjëherë jashtë. Me thoshte se nuk mund të dilja. Gjithmonë ma thoshte këtë”.

Balogova nuk u pagua asnjëherë. Ajo qëndroi në një qendër për të pastrehët dhe u kthye në Sllovaki para dy vjetësh me ndihmën e punonjësve socialë.

Vajza e saj u vendos nën kujdesin e institucioneve sepse zyrtarët mendonin se ajo nuk ishte në gjendje të kujdesej vetë për fëmijën.

Shtatzania e një gruaje në një martesë të rreme konsiderohet një plus që i rrit shanset e dhëndrit për të qëndruar.

Qyteti Rochdale me popullatën e larmishme dhe një komunitet aiatik të stabilizuar është një nga pikat kryesore ku policia po heton martesat e rreme dhe forma të tjera shfrytëzimi. James Faulkner, zyrtari që drejton hetimin kundër martesave të rreme, thotë se sipas informacioneve në dispozicion në Rochdale ka deri në 400 martesa të tilla.

“Pagesa për të gjetur një femër për t’u martuar për dokumenta është 4 mijë deri në 5 mijë e 600 Euro por asnjë qindarkë nuk bie në duart e tyre kështu që ne mendojmë se këto janë para trafikimi”.

Allan Doherty i organizatës bamirëse “Shpresë për Drejtësi” që ndihmon viktimat e trafikut thotë se frika dhe varfëria i bëjnë vajzat në gjendje të keqe që të lënë shtëpitë e tyre dhe të martohen me një të panjohur.

“Ato pranojnë këtë martesë sepse ndjehen pa rrugëdalje. Kur dikush thotë ‘jo nuk dua ta bëj këtë’, atëherë një trafikant mund të përdorë metoda të tjera kontrolli, si për shembull kërcënime ndaj tyre apo familjeve që kanë lënë pas. Kjo është një mënyrë e fuqishme për të kontrolluar dikë”.

Kjo formë relativisht e re trafikimi vjen në një kohë kur Britania vazhdon të rrisë kontrollin në kufi dhe politikanë në gjithë Evropën Perëndimore po bëjnë thirrje për masa më të rrepta kundër emigracionit.

Martesat e paligjshme po bëhen një mënyrë për ta shmangur një gjë të tillë.

Ajo që irriton policinë dhe punonjësit socialë, është fakti që disa nga gratë e trafikuara janë aq të varfra saqë do të preferonin të shfrytëzoheshin në një martesë të rreme sesa të qëndronin në shtëpinë e tyre.

Klara Balogova është një prej tyre dhe ajo thotë se nuk do të hezitonte të provonte shansin përsëri në Britani.

“Ishte 100 herë më mirë për mua në Britani. Këtu nuk është aspak mirë prë mua”, thotë ajo.

XS
SM
MD
LG