Lidhje

Evropa do përgjigje për akuzat mbi përgjimet


Politikanët evropianë kanë reaguar me zemërim rreth pretendimeve se Agjencia Kombëtare e Sigurimit të Shteteve të Bashkuara, NSA ka përgjuar misionet e Bashkimit Evropian si dhe telefonat dhe postën elektronike. Këto akuza e kanë burimin nga dokumenta të publikuara prej ish kontraktorit të kësaj agjencie, Edward Snowden, i cili është bllokuar në një aeroport të Moskës në pritje të kërkesës për strehim politik.

Revista gjermane Der Spiegel dhe gazeta britanike Guardian pretendojnë se kanë të dhëna që tregojnë se Shtetet e Bashkuara kanë përgjuar misionin e BE-së në Nju Jork si dhe ambasadën e saj në Uashington.

Bashkimi Evropian thirri ambasadorin amerikan dhe kërkoi pastrimin e zyrave të saj për të kontrolluar për mjete përgjimi.

Steffen Seibert, zëdhënës i kancelares gjermane, Angela Merkel, tha se Uashington duhet të japë shpjegime.

"Këto pretendime duhej të sqaroheshin dhe nëse ato rezultonin të vërteta, një praktikë e tillë do të ishte e papranueshme. Ne nuk jetojmë më në Luftën e Ftohtë”.

Gjatë udhëtimit për në Brunei të hënën, Sekretari amerikan i Shtetit, John Kerry u pyet rreth këtyre akuzave.

"Mund të them se çdo vend i botës i angazhuar në çështje ndërkombëtare merr masa për të mbrojtur sigurinë e vet kombëtare, duke përdorur informacione të shumta. Madje mund të them se një gjë e tillë nuk është e pazakontë për shumë vende".

Në dokumentat e publikuara pretendohet se Agjencia Kombëtare amerikane e Sigurisë përgjonte rreth 500 milion telefonata dhe e-maile në Gjermani në muaj.
David Cadier punon për një grup analitik në Shkollën Ekonomike të Londrës.

“Kjo mund të shndërohet në një problem të brendshëm të Bashkimit Evropian. Dhe problemi mund të ketë të bëjë më pak me faktin se autoritetet amerikane kanë përgjuar disa zyra të BE-së dhe disa ambasada. Unë mendoj se problemi kyç do të jetë çështja e ndarjes së të dhënave personale”.

Akuzat ngrihen ndërkohë që Evropa dhe Shtetet e Bashkuara po fillojnë negociatat mbi marrëveshjen më të madhe të tregtisë së lirë në botë.

“A do të rrezikohet kjo marrëveshje? Besoj se jo, pasi mbështetja mes zyrtarëve dhe qeverive të BE-së për këtë tregëti ka qënë shumë e fortë”.

Një prej dokumentave sekrete rradhit 38 ambasada që u përgjuan, mes tyre ajo e Meksikës, Japonisë, Koresë së Jugut, Indisë dhe Turqisë.

Dokumentat u nxorrën nga ish kontraktori i agjencive amerikane të zbulimit, Edward Snowden, i cili po përpiqet të gjejë strehim politik.

Disa politikanë evropianë kanë sugjeruar që tani atij duhet t’i jepet strehim politik në Evropë.
XS
SM
MD
LG