Lidhje

Zhvillimet kryesore të vitit 2012 në Evropë

  • Selah Hennessy

Marrëdhëniet mes Francës dhe Gjermanisë gjithnjë kanë qenë me rëndësi të madhe për Bashkimin Evropian. Deri në maj të këtij viti, udhëheqësit konservatorë si Kancelarja gjermane, Angela Merkel, dhe presidenti i Francës, Nicolas Sarkozy, bashkëpunuan ngushtë për të marrë vendime mbi eurozonën, ndërkohë që ajo kalonte nëpër krizën ekonomike. Por pastaj, në Francë erdhi në fuqi socialisti François Hollande dhe zgjedhja e tij i vuri në pikëpyetje marrëdhëniet franko-gjermane.

Kur Bashkimi Evropian mori Çmimin Nobel për Paqe në fillim të dhjetorit, Kancelarja gjermane Angela Merkel dhe presidenti francez, François Hollande qëndronin përkrah njëri-tjerit në shenjë solidariteti.

Por kjo fshihte ndarjet në rritje mes udhëheqësve më të fuqishëm të Evropës.

Në thelb ata kanë mendime të ndryshme se ç’duhet të bëjë eurozona, thotë analisti Philip Whyte.

"Hollande është një njeri i së majtës. Angela Merkel i përket së djathtës. Hollande ka një vizion shumë të ndryshëm se ku duhet të shkojë eurozona dhe aty qëndron një pjesë e konfliktit dhe e tensionit që ka lindur në marrëdhëniet franko-gjermane këto gjashtë muajt e fundit."

Gjermania është ekonomia më e fortë në Evropë. Kancelarja Merkel kërkon me ngulm disiplinë fiskale dhe masa të ashpra kursimi në të gjithë Evropën.

Por shtrëngimet financiare po bëhen gjithnjë e më jopopullore duke shkaktuar protesta.

Papunësia është e lartë dhe vendet e krejt Bashkimit Evropian janë në recesion.

Politikanët dhe ekonomistët po theksojnë gjithnjë e më tepër se masat shtrënguese pa stimul ekonomik nuk funksionojnë.

Z. Hollande e bëri fushatën duke u fokusuar pikërisht te stimuli ekonomik.

Merkel dhe Holande kanë gjithashtu diferenca në çështjet institucionale siç është bashkimi i mundshëm bankar.

Këto tensione mund të sjellin probleme të vazhdueshme, thotë zoti Whyte:

"Mendoj se marrëdhëniet do të mbeten të vështira. François Hollande do të jetë më pak i angazhuar për reforma mikro-ekonomike sesa zonja Merkel. Ai do të mbetet më ambicioz se Gjermania kur është fjala për zhvillimin e gjërave të tilla si bashkimi bankar. Pra, marrëdhëniet do të jenë të vështira."

Disa analistë shqetësohen se përparimi brenda eurozonës nuk do të jetë konstant nëse Franca dhe Gjermania nuk janë në të njëjtin hap.

Leila Talani është eksperte për Evropën në Kolegjin Mbretëror të Londrës.

"Çdo vendim me rëndësi për procesin e integrimit evropian merret mes Francës dhe Gjermanisë. Prandaj padyshim kjo ka shumë pasoja për zgjidhjen e krizës."

Ajo thotë se dallimet mund të mos zgjasin shumë kohë.

Gjermania do të mbajë zgjedhjet e përgjithshme në vitin 2013. Social Demokratët janë prapa në sondazhe, por kanë shanse për të fituar.

Kandidati i tyre, Peer Steinbruck, është shprehur për lehtësimin e masave shtrënguese dhe për një shpërndarje të borxhit mes vendeve të BE-së.

Zonja Talani thotë se Presidenti francez dhe zoti Steinbruck, nëse zgjidhet, mund të sjellin një ndryshim në politikat për euron.

"Nëse qëllimet janë të njëjta, ato ka më shumë të ngjarë të realizohen nga vendet e Evropës, dhe kjo do t’u jepte siguri tregjeve."

Gjermania dhe Franca kanë nevojë të qetësojnë tregjet. Dhe janë tregjet që mund të kishin ndikimin më të madh mbi politikat.
XS
SM
MD
LG