Lidhje

Rinia evropiane përballet me “Murin e ri të Berlinit”


Dalja e Britanisë nga BE-ja është krahasuar nga disa me Murin e Berlinit, duke thënë se ky vendim përfaqëson lirinë. Të tjerë thonë se rënia e murit të Berlinit ishte fillimi i epokës së globalizimit, ndërsa Brexit ka filluar zhbërjen e lidhjeve politike që mbajtën Evropën të sigurtë. Mbi rrënojat e murit të Berlinit, të rinjtë evropianë flasin për kontinentin e tyre që po ndryshon identitet:

Në vitin 1989, gjermanët rrëzuan murin që ndante Berlinin dhe që përfaqësonte ndasitë globale.

Sot, pjesët e murit të Berlinit shërbejnë si kujtesë për ditët e errëta të Evropës.

Pas votimit të Britanisë javën e kaluar për largimin nga BE-ja, disa të rinj mendojnë se ndoshta Evropa po kthehet prapa në kohë.

“Është ndjesi e çuditshme të vizitosh këtë vend ndërkohë që po mendojmë sërish për t’u ndarë,” - thotë një britanike.

Votuesit e rinj në Britani nuk mbështetën daljen nga BE-ja, por të rinjtë këtu nuk janë të gjithë kundër këtij vendimi:

“Janë emocione të përziera. Askush nuk e di se si do të ndikohet Evropa dhe bota. Një pjesë e imja është në favor të fuqizimit të popullsisë. Nga ana tjetër mendoj se do të dëmtojë ekonominë,”- thotë një shtetas finlandez.

Përballë një galerie fotosh nga tragjeditë e luftërave moderne, ai thotë se nuk i pëlqen që vota u ndikua nga frika për emigracionin.

Një gjë është e sigurtë, me daljen e mundshme të Britanisë nga BE-ja, do të krijohen pengesa të reja logjistike dhe ekonomike, të cilat nuk dihen se sa përçarëse do të jenë.

“Për mua, Londra ishte simboli i bashkimit, ku mund të takoje njerëz nga mbarë bota. Tashmë më lë një shije shumë të çuditshme,”- thotë një shtetas italian.

Sidoqoftë, këta të rinj thonë se bota britanike është si një moment i murit të Berlinit për gjeneratën e tyre.

Të tjerë besojnë se siguria dhe begatia e Evropës gjatë dekadave të fundit është lidhur me unitetin evropian, ndërsa tashmë partitë politike në disa vende diskutojnë për daljen nga BE-ja.

Por, është e vështirë edhe për ta të kuptojnë se çfarë e udhëheq historinë.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG