Lidhje

Banka evropiane, thirrje Greqisë të shmangë vonesat në reforma


Një zyrtar i lartë i Bankës Qendrore Evropiane i bëri sot thirrje qeverisë së re të Greqisë të shmangë vonesat e mëtejshme në zbatimin e reformave strukturore. Joerg Asmussen, anëtar i bordit të Bankës i bëri komentet në Athinë, ndërkohë që qeveria e re greke e koalicionit zhvillon bisedime me kreditorët.

Qeveria po kërkon t’i bëjë ndryshime programit të Greqisë për shpëtimin financiar ndërkohë që vendi ndodhet në vitin e pestë të recesionit.

Zoti Asmussen, i cili u takua me ministrin e financave Janis Stournaras, tha se Greqia nuk duhet ta zgjasë më tej vënien në jetë të masave shtrënguese.

Kryeministri i ri Antonis Samaras argumenton se kushtet e marrëveshjeve të shpëtimit financiar që filluan në vitin 2010 nuk kanë arritur të nxisin rritjen ekonomike.

Por zoti Asmussen, tha megjithatë se pa trajtuar problemet themelore të krizës greke si, mungesa e fuqisë konkurruese ekonomike, borxhi i lartë dhe gjendja e fryrë e sektorit publik – kjo nuk do të sjellë gjë tjetër veçse më tepër dhimbje.

"Qeveria e re nuk duhet të humbasë kohë të çmuar në kërkim të shmangies nga ky ose ai program. Ajo duhet të përqëndrohet në atë se si të maksimalizojë efektivitetin e reformave," tha zoti Asmussen.

Në fillim të këtij viti, Greqia mezi arriti të shmangë falimentimin, por pastaj mundi të sigurojë ristrukturimin e borxhit në marrëveshje me bankat si dhe të marrë kredi shtesë nga vendet e tjera të eurozonës dhe nga Fondi Monetar Ndërkombëtar.

Si shkëmbim, qeveria shkurtoi mjaft pagën minimale si pjesë e masave shtrënguese gjithnjë e më të rrepta.

Në takimin e nivelit të lartë të Bashkimit Evropian javën e kaluar, kancelarja gjermane Angela Merkel i bëri lëshime Italisë dhe Spanjës - duke rënë dakord për të lejuar vendet që zotohen të zbatojnë reformat e kërkuara nga BE-ja të marrin fonde shpëtimi pa u dashur të zbatojnë masa të tilla shtrënguese si ato që iu kërkuan Greqisë.
XS
SM
MD
LG