Lidhje

Parlamenti Evropian me rezolutë për Kosovën


Parlamenti Evropian, miratoi të enjten një rezolutë për Kosovën duke i bwrw thirrje për luftë kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, ndërsa pesë vendeve anëtare të Bashkimit Evropian që nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovë ta bëjnë një gjë të tillë.

“E ardhmja e Kosovës së pavarur është në Bashkimin Evropian, por duhet të bëhet më shumë në luftën kundër korrupsionit e krimit të organizuar dhe të fillojnë rezultate të dukshme edhe në ekonomi”, tha raportuesja e Parlamentit Evropian, Ulrike Lunaçek.

“Kosova është po ashtu vendi i vetëm në Ballkanin Perëndimorë, qytetarët e së cilës nuk mund të udhëtojnë lirshëm në Bashkimin Evropian. Kjo situatë jonormale duhet të ndryshojë shpejt në mënyrë që qytetaret të mos ndjehen më tej të izoluar”, theksoi ajo.

Anëtarët e parlamentit e kanë parasysh që pesë vende anëtare të Bashkimit nuk e kanë njohur ende zyrtarisht Kosovën, ndërsa shtojnë se po ta bënin këtë të gjitha vendet e BE-së, kjo do të sillte më shumë qëndrueshmëri në rajon dhe do të ndihmonte normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Ata nënvizuan se Marrëveshja e Stabilizim Asociimit ndërmjet Bashkimit Evropian dhe Kosovës, e ratifikuar nga Parlamenti Evropian më 21 janar, paraqet një shtytje të fuqishme për reformat dhe hapë rrugën e integrimit të Kosovës në Bashkimin Evropian.

Pavarësia e medias dhe gjyqësorit, lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar në nivelet e larta dhe reformat në tregun e punës, janë vetëm disa nga fushat me interes madhor, thuhet në rezolutën e miratuar me 403 vota për, 130 kundër dhe 104 vota të paanshme.

Parlamenti Evropian miratoi po ashtu një rezolutë për Serbinë në të cilën është mirëpritur hapja e negociatave për anëtarësimin e saj në BE dhe përparimi i arritur në procesin e normalizimit të marrëdhënieve me Kosovën. Euro deputetët bëjnë thirrje për zbatimin e plotë të marrëveshjeve të arritura, duke nënvizuar se kjo është një nga kushtet për anëtarësimin e Serbisë në Bashkimin Evropian.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG