Lidhje

PE pro planit për shpërndarjen e refugjatëve


Parlamenti Evropian mbështeti një plan për shpërndarjen e gati 120 mijë refugjatëve mes vendeve anëtare të Bashkimit Evropian në përpjekje për të lehtësuar mbipopullimin e vendeve kufitare të BE-së që janë ndalesa e parë për azil-kërkuesit. Ndërkohë në Gjermani, kancelarja Angela Merkel i bëri thirrje industrisë së automobilëve t’u japë një shans refugjatëve, numri i të cilëve është në rritje.

Ligjvënësit e BE-së e miratuan planin me 372 vota pro, 124 kundër dhe 54 abstenime. Faza tjetër është që ministrat e brendshëm të BE-së të miratojnë planin, me synimin që të mund të ndryshohet pozicioni i vendeve të Evropës Lindore që janë kundër tij.

Kroacia tha se gati 5,600 imigrantë kanë hyrë në vend që kur Hungaria mbylli kufijtë e saj me Serbinë në fillim të javës. OKB-ja dënoi trajtimin e azilkërkuesve nga Hungaria si “të papranueshëm”.

Imigrantët filluan të hyjnë në Kroaci kur Hungaria mbylli kufijtë.

Nour, një sirian nga rrethinat e Damaskut, ka kaluar disa netë në zonën mes dy Hungarisë dhe Kroacisë. Ai thotë se nuk do të hipë në autobus dhe do të qëndrojë aty derisa Hungaria të rihapë përsëri kufirin pasi është i shqetësuar për shënjat e gishtave që kërkojnë zyrtarët e imigracionit.

“Do të qëndroj këtu derisa të hapen dyert. Nuk do të shkoj në Kroaci për të më marrë shenjat. As në Slloveni pasi aty do të jem pa punë, pa asgjë. Do të qëndroj këtu dhe do të pres të hapen dyert”.

Në Gjermani kancelarja Angela Merkel i bëri thirrje industrisë së automobilëve sot t’u japë një shans refugjatëve në rritje.

Zonja Merkel foli në panairin ndërkombëtar të kësaj industrie në Frankfurt.

“Thirrja ime për ju që përfaqësoni këtë sektor të suksesshëm të industrisë gjermane; kudo që ka mundësi për t’i afruar këta njerëz dhe për t’u dhënë një shans, ju inkurajoj ta bëni këtë. Në të njëjtën kohë, e di se po e bëni këtë në shumë fusha dhe erdha t’ju falenderoj nga thellësia e zemrës”.

Komentet e kancelares bëhen ndërkohë që njoftime nga policia për numrin e refugjatëve që mbërritën në Gjermani të mërkurën ishin dyfishuar në 7266 nga 3442 një ditë më parë.

XS
SM
MD
LG