Lidhje

Euroskeptikët dhe zgjedhjet evropiane


Kudo në Evropë, partitë e ekstremit të djathtë janë në rritje. Ato kanë tani një objektiv të ri: Parlamentin Evropian. Ambicien e tyre e tipizon Fronti Kombëtar i Francës, pas një fitoreje historike në zgjedhjet e vendit. Kryetarja e Partisë, Marine Le Pen, është më e zëshmja prej tyre në fushatën për zgjedhjet evropiane këtë javë, me shpresën për të krijuar një aleancë sa më të gjerë. Votimet zhvillohen në të 28 vendet anëtare të BE-së dhe vazhdojnë mbi katër ditë, duke filluar nga data 22 maj.

Zonja Le Pen po përpiqet të shfrytëzojë momentin për të ngritur zërin anti – emigracion të Frontit të saj Kombëtar dhe për ta bërë këtë nëpërmjet një grupi të gjerë parlamentar.

Këto parti po përfitojnë nga zhgënjimi i publikut me Bashkimin Evropian dhe po kërkojnë të dobësojnë pushtetin e bllokut mbi qytetarët evropianë nga brenda institucionit ligjvënës të Evropës.

Marine Le Pen, Fronti Kombëtar:
"Vendet janë të interesuara për të rifituar sovranitetin e tyre. Kjo krijon një kohezision absolut mes partive që janë pjesë e grupit tonë. Ne duam të jemi zotër në vendet tona. Austriakët duan të jenë zotërit e Austrisë, francezët zotër në Francë, belgët në Belgjikë, dhe kjo është krejtësisht legjitime," thotë zonja Le Pen.

Prej kohësh Parlamenti Evropian shihej me ironi si një forum diskutimesh pa vlerë, por vitet e fundit, ai ka fituar autoritet dhe miratimi i tij tani është i nevojshëm për të gjitha ligjet kryesore të BE-së - nga rregullimi i tregut financiar te madhësia e reklamave antihun në paketat e cigareve.

Megjithatë, Parlamenti nuk arrin të ketë ndikim te legjislaturat e vendeve të veçanta, sepse deputetët e tij nuk mund të propozojnë ligje të reja.

Thibaud Collins, Fronti Kombëtar:
"Ne kemi një Evropë të dobët, një vrimë të zezë të qytetetërimit. Unë mendoj se gjëja e parë që duhet bërë është të rimarrim në dorë sovranitetin tonë kombëtar," thotë Thibaud Collins, mbështetës i Frontit Kombëtar.

Fronti Kombëtar ka tre vende në Parlamentin Europian, dy prej tyre mbahen nga zonja Le Pen dhe babai i saj, Jean Marie Le Pen, themeluesi i partisë.

Ajo shpreson të rrisë praninë e partisë së saj në Parlament.

Në nëntor zonja Le Pen u bashkua me partinë anti-BE dhe anti -Islamike të holandezit Geert Wilders, i cili njoftoi plane për të "çliruar Europën nga "përbindëshi i Brukselit," siç e quan ai.

Geert Wilders, Partia Liria:
"Së pari, ne duam të ndalim imigracionin nga vendet islamike, pra të ndalim ardhjen e njerëzve të tjerë," thotë Wilders.

Megjithatë, Partia e zotit Wilders mori një goditje në muajin shkurt pasi ai fyeu shumë holandezë me parrullën "Më pak ! Më pak ! Më pak ! Marokenë në Holandë".

Një ndër katër deputetë evropianë nga Partia e Lirisë janë larguar prej saj, po ashtu edhe tre prej 15 ligjvënësve të grupit në parlamentin holandez dhe partia ka rënë në vend të dytë në sondazhet e opinionit, nga vendi i parë që mbante.

Rënia ekonomike e Evropës ka ushqyer partitë populiste të të gjitha ngjyrave në të gjithë kontinentin, nga Partia e Pavarësisë në Britani tek Agimi i Artë në Greqi.

Por edhe në qoftë se grupet e ekstremit të djathtë e zgjerojnë praninë e tyre në Parlament, ato nuk kanë shanse të kapin shumicën, madje axhendat e tyre nacionaliste mund të bien ndesh me njëra-tjetrën në debatet parlamentare.

Janis Emmanoulidis, analist në Qendrën e Politikave Evropiane në Bruksel, e vë në pikëpyetje nëse palët e ndryshme ekstremiste mund të krijojë një grup të unifikuar.

Janis Emmanoulidis, Qendra e Politikave Evropiane:
"Ata e paraqesin veten ashtu. Por kur bëhet fjalë për çështje konkrete, ne do të shohim se sa pak homogjenë do të jenë ata, veçanërisht sepse shumë prej tyre kanë një fokus tepër nacionalist."

Pavarësisht nga rezultati i zgjedhjeve, partitë euroskeptike po tregojnë se kanë ndikim; dikur në periferitë politike, ato kanë arritur të ndikojnë në politikat kombëtare.

Për vite me radhë, BE-ja vazhdoi të zgjerohej duke përfshirë ish-vendet komuniste të Europës Lindore dhe u duk sikur blloku do të bëhej më i fortë. Sot, askush nuk mendon se kjo është e garantuar.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG