Lidhje

Analistët për krizën e borxheve në BE


eu

eu

Analistët thonë se përparimi ekonomik në Euorozonë është i ngadaltë dhe politika mund ta pengojë rimëkëmbjen ekonomike

Tregjet financiare evropiane reaguan me kujdes pas marrëveshjes mbi buxhetin të arritur nga udhëheqësit e BE-së të premten, e cila parashikon shkurtimin e përgjithshëm të shpenzimeve të buxhetit për herë të parë në historinë e Bashkimit Evropian. Disa udhëheqës evropianë kanë lënë të kuptohet se kontinenti po del nga kriza që kishte përfshirë eurozonën. Por analistët paralajmërojnë se politika mund ta pengojë rimëkëmbjen ekonomike.

Sipas marrëveshjes mbi buxhetin në shtatë vitet e ardhshme do të ketë shkurtime me vlerë 45.9 miliardë dollarë.

Arritja e marrëveshjes për shkurtimin e shpenzimeve u cilësua si një fitore për udhëheqësit e BE-së të cilët kanë kërkuar që masat shtërnguese në vendet anëtare të përputheshin me nivelin e shkurtimeve në Bruksel. Kryeministri britanik David Cameron është i kënaqur me shkurtimet.

“Më në fund udhëheqësit janë bashkuar për të ndalur shpenzimet e mëdha, ka ardhur koha që kufiri i shpenzimeve të ulet”.

Euroja është rritur 6 për qind kundrejt monedhave të tjera gjatë 6 muajve të fundit. Kjo është një shenjë e mirë, thotë Presidenti i Bankës Qendrore Evropiane Mario Draghi.

“Rritja e vlerës së euros është një shenjë e besimit të brendshëm për të”.

Analizat e bankës holandeze ING Bank tregojnë se në 4 muajt e fundit të vitit 2012 afërsisht 134 miliardë dollarë të fondeve private janë rikthyer në vendet e eurozonës të përfshira nga kriza. Kjo shënon një kthesë të madhe nga viti i mëparshëm, kur investitorët e shqetësuar tërhiqnin paratë nga eurozona”.

Louise Cooper është analiste financiare.

“Bankat në Spanjë dhe Itali kanë përfituar nga kjo, dhe është rritur gatishmëria për shkëmbimin e huave me rrezikshmëri të lartë në vendet periferike të eurozonës”.

Por Greqia dhe Spanja janë ende duke u përballur me rritje ekonomike të ulët ose negative dhe me nivel të lartë të papunësisë. Javën e kaluar kishte rradhë të gjata para kompanive ajrore në Athinë të cilat kishin hapur vende pune për stjuardesa avioni.

Zoti Cooper thotë se pretendimet e udhëhqësve evropianë se kriza e borxhit ka mbaruar janë të nxituara.

“Ka patur përparim, por me ritëm shumë të ngadaltë. Edhe pse ne kemi një rritje të madhe në tregjet e kapitalit ose kishim një rritje të madhe në tregun e kapitalit në javët e para të janarit, në realitet vëllimi i rritjes ishte mjaft i vogël”.

Përveç kësaj, Italia zhvillon zgjedhje parlamentare më 24 shkurt dhe ish-kryeministri Silvio Berluskoni po fiton terren në sondazhet e opinionit.

Ndërkohë partia e Kryeministrit të Spanjës Mariano Rajoy është përfshirë nga akuzat për korrupsion. Philip White punon në Qendrën për Reforma Evropiane.

“Në Itali mund të ketë pasiguri politike, ndoshta një kthim të Silvio Berlusconi-t. Në Spanjë nuk e dimë se ku do të përfundojë skandali i tanishëm që ka përfshirë kryeministrin e vendit. Gjërat e këtij lloji mund të shkaktojnë pasiguri në tregjet evropiane”.

Zoti White thotë se zgjedhjet parlamentare në Gjermani që do të mbahen në shtator mund të jenë testi më i madh i Evropës këtë vit, ku Kancelarja Angela Merkel po lufton për të qëndruar në krye të ekonomisë më të madhe të Evropës.

XS
SM
MD
LG