Lidhje

BE shqyrton propozimin e Greqisë


Ministrat e financave të Eurozonës po diskutojnë planin më të fundit të Greqisë për reforma ekonomike, që synon përfitimin e një fondi të tretë shpëtimi financiar nga Bashkimi Evropian.

Zyrtarët e BE-së sinjalizuan përpara takimit se do të arrihet një marrëveshje gjatë fundjavës, por se bisedimet do të jenë të vështira.

“Nuk kemi arritur ende në një mirëkuptim për përmbajtjen. Ka ende shumë vërejtje për reformat e propozuara, dhe sigurisht që ka mungesë besimi për sa i përket aspektit financiar”, u shpreh ministri i financave hollandez dhe njëkohësisht kryetar i Eurogroup-it, Jeroen Dijsselbloem.

Wolfgang Schaeuble, ministër i financave të Gjermanisë, që është vendi më i madh kreditor i Greqisë, ka patur një përqasje më të ashpër ndaj Greqisë gjatë muajve të fundit. Ai tha se: “Pa dyshim, nuk do të mbështetemi vetëm tek premtimet. Jemi të vendosur të mos bëjmë llogarira që askush nuk i beson.”

Zoti Schaeuble nuk nguroi të fajësojë partinë radikale të majtë Syriza, të Kryeministrit Tsipras, për krizën e tanishme. “Problemi është se pati një situatë në fund të vitit që krijoi shumë shpresë, megjithë skepticizmin e viteve të mëparshme. Kjo u shkatërrua në një mënyrë të pabesueshme gjatë ditëve dhe orëve të fundit”, tha ai.

Sidoqoftë, Komisioni Evropian, Banka Qendrore Evropiane dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar u thanë qeverive të Eurozonës, pas një studimi të propozimit grek, se ekzistojnë baza të mjaftueshme për të filluar negocimin për një hua të kushtëzuar.

Drejtorja e FMN-së, Christine Lagarde, përdori një ton paqtues në hyrje të takimit të Eurogroup-it. “Mendoj se jemi këtu për të arritur shumë më tepër progres”, tha ajo.

Parlamenti grek miratoi propozimin e qeverisë greke në orët e para të së shtunës, në një seancë që vazhdoi punimet përtej mesnatës.

XS
SM
MD
LG